Biden thirrje Netanyahut: Nevojë absolute për të mbrojtur civilët në Rripin e Gazës

schedule07:33 - 8 Dhjetor, 2023

schedule 07:33 - 8 Dhjetor, 2023

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të enjten se është e nevojshme të mbrohen civilët ndërsa luftimet vijojnë në zonat urbane në qytetet në Rripin e Gazës.

“Presidenti theksoi nevojën absolute për të mbrojtur civilët dhe për të ndarë popullatën civile nga Hamasi, veçanërisht përmes korridoreve që do të lejonin civilët të lëvizin të sigurt nga zonat e luftës”, thuhet në një deklaratë për shtyp nga Shtëpia e Bardhë.

Në bisedën e tij të parë telefonike me Netanyahun që nga 26 nëntori, presidenti amerikan këmbënguli sërish se duhet t’u shpërndahen më shumë ndihma civilëve. Qeveria amerikane ka mbështetur fuqishëm Izraelin që nga sulmi i 7 tetorit i Hamasit në jug të territorit izraelit, gjatë të cilit u vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë.

Por administrata Biden është gjithnjë e më e shqetësuar për pasojat civile të operacionit izraelit me qëllimin e deklaruar për të “eliminuar” Hamasin në Rripin e Gazës. Enklava e vogël palestineze, e rrethuar prej rreth dy muajsh, është bombarduar pa pushim, ndërsa ushtria izraelite ka kryer operacione tokësore që prej 27 tetorit.

Ministria e shëndetësisë në Rripin e Gazës, e cila drejtohet nga Hamasi që nga viti 2007, thotë se sulmi izraelit ka vrarë më shumë se 17,000 njerëz, më shumë se 70 për qind e të cilëve ishin gra, fëmijë dhe adoleshentë.

Sipas presidencës amerikane, Biden nënvizoi gjithashtu se Izraeli, forcat e të cilit tani veprojnë në pjesën jugore të enklavës palestineze, duhet të marrë masa që numri i viktimave dhe personave të zhvendosur brenda vendit të mos jetë aq i lartë sa në veri./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!