Presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu izraelit Benjamin Netanyahu zhvilluan një bisedë telefonike të hënën, ku diskutuan për zhvillimet e fundit në Gaza, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti Biden foli me kryeministrin Benjamin Netanyahu të Izraelit për të diskutuar zhvillimet e fundit në Izrael dhe Gaza, duke përfshirë situatën në Rafah dhe përpjekjet për të rritur ndihmën humanitare për Gazën”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë të shkurtër pas përfundimit të telefonatës.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se detaje të plota të diskutimit të tyre do të bëhen publike së shpejti. SHBA mbetet aleati më i afërt i Izraelit dhe ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake, por mediat e huaja kanë raportuar së fundmi për një marrëdhënie të trazuar mes Biden dhe homologut të tij izraelit./abcnews.al