Presidenti Joe Biden bëri publik të mërkurën një plan mbi punësimin dhe infrastrukturën prej 2 trilionë dollarësh.
“Infrastruktura jonë po shkatërrohet”, tha presidenti gjatë një fjalimi në Pittsburgh, qyteti i dytë më i populluar në shtetin e Pensilvanisë.
“Do të krijojmë ekonominë më të fortë, më elastike dhe më novatore në botë”, tha Presidenti Biden lidhur me planin e tij, i cili vë theksin tek punësimi i mbështetur nga sindikatat.
Plani ka për qëllim t’i vendosë Shtetet e Bashkuara në pozita të forta përballë konkurencës së Kinës, për të cilën zoti Biden tha se së bashku me vendet e tjera “po zhvillojnë një konkurencë agresive”.
“Kundërshtarët tanë janë të shqetësuar për ndërtimin e kësaj infrastrukture kritike”, tha ai, duke vënë në dukje se rënia në Prodhimin e Brendshëm Bruto të SHBA-së do të thotë siç tha ai se: “pjesa tjetër e botës po na afrohet dhe me shpejtësi”.
Sipas shifrave zyrtare ekonomia e SHBA-së u tkurr me 3.5% në vitin 2020 për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Plani i Presidentit Biden parashikon që brenda një harku kohor prej tetë vitesh, të riparohen 32,000 kilometra rrugë, 10 ura me rëndësi ekonomike dhe 10,000 të vogla. Po kështu do të hiqen tubacionet e rrezikshme me përmbatje plumbi në sistemet e ujit, do të përmirësohet ndjeshëm rrjeti elektrik i vendit, sigurohet qasje në internet me shpejtësi të lartë si dhe rikostruksioni i sistemeve të tranzitit.
Duke folur për më shumë se gjysmë ore në një qendër trajnimi profesional në Pittsburgh, zoti Biden tha se “jam i bindur që nëse veprojmë tani, pas 50 vitesh njerëzit do të shohin pas e të thonë: Ky ishte momenti që Amerika fitoi të ardhmen”.
Plani vjen menjëherë pasi miratimit nga Kongresi të një tjetër plani të Presidentit Biden, paketës së ndihmës prej 1,9 trilionë dollarësh për lehtësimin e pasojave të koronavirusit. Paketa lehtësuese u miratua vetëm me votat e ligjvënësve demokratë dhe kundërshtinë në bllok të republikanëve.
Paratë për planin e infrastrukturës, Presidenti Biden, propozon që t’i sigurojë pjesërisht nga rritja e taksës mbi korporatat nga 21% në 28%, duke ndryshuar një vendim të katër viteve më parë të marrë nga presidenti i atëhershëm Donald Trump, që e ulte këtë taksë.
“Askush nuk duhet të ankohet për këtë gjë”, tha Presidenti Biden gjatë fjalimit të tij në Pittsburgh.
Ligjvënësit republikanët po e kundërshtojnë një gjë të tillë duke argumentuar se ky vendim do të dëmtonte punëtorët amerikanë, do të ngadalësonte rritjen ekonomike të vendit dhe do t’i bënte kompanitë amerikane më pak konkurruese në tregun botëror./VOA