Biden paralajmëron masa të reja kundër dhunës që shkaktojnë armët

schedule17:39 - 8 Prill, 2021

schedule 17:39 - 8 Prill, 2021

Presidenti Joe Biden dhe Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland këtë të enjte pritet që të prezantojnë  një sërë masash të tjera shtesë me synimin për të adresuar problemin e dhunës së armëve në Shtetet e Bashkuara.

Një ndër propozimet është ndalimi i përhapjes së të ashtuquajturave “armë fantazmë” që nuk kanë numra seriale dhe e bëjnë të vështirë për forcat e rendit të identifikojnë autorët e krimeve.

Mediat vendase bëjnë me dije se departamenti i Drejtësisë po prezanton amerikanët edhe me një shembull të të ashtu-quajturave “ligje paralajmëruese” që u japin mundësi anëtarëve të familjes dhe forcave të rendit t’i kërkojnë gjykatës të ndalojë blerje apo zotërim armësh për një individ të konsideruar si rrezik për veten apo të tjerët.

Ky propozim synon të shërbejë si shembull për shtetet individuale që duan të miratojnë ligje të ngjashme. Përpjekjet e reja përfshijnë edhe hartimin e një raporti vjetor mbi trafikun e armëve të zjarrit si dhe një seri masash për të parandaluar dhunën në shkallë komuniteti.

Presioni për të forcuar masat kundër dhunës së armëve u shtua pas masakrave të fundit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë vrasjen e 10 personave në një dyqan ushqimesh muajin e kaluar në Kolorado si dhe vrasjen e tetë vetëve në një qendër masazhesh në Atlanta të Xhorxhias. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!