Presidenti amerikan Joe Biden mbajti një konferencë për mediat lidhur me situatën aktuale në Afganistan ku vijon prej ditësh procesi i evakuimit për ata që duan të largohen. I pyetur nëse SHBA-ve i ka rënë kredibiliteti tek aleatët me vendimin e marrë dhe mënyrën sesi po menaxhohet situata, Biden tha se kjo gjë nuk vihet në pyetje.
Presidenti amerikan u shpreh se nuk ka parë që besueshmëria e amerikës të bjerë në sytë e aleatëve në të gjithë botën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se ai ka folur me aleatët e NATO -s, këshilltarët e sigurisë kombëtare, sekretarin amerikan të shtetit Antony Blinken dhe sekretarin e mbrojtjes Lloyd Austin.
Biden shtoi se ai ka marrë feedback nga aleatët se SHBA po vepron ashtu siç kishte njoftuar më herët.
“Le t’i vendosim gjërat në prespektivë. Çfarë interesi kemi në Afganistan në këtë pikë kur Al Kaeda është zhdukur? Ne shkuam në Afganistan për qëllimin e qartë për të hequr qafe al Kaedën në Afganistan, si dhe për të goditur Osama bin Ladenin, dhe e bëmë”, tha Biden.
“Ju e njihni pozicionin tim për një kohë të gjatë, të gjatë. Është koha për t’i dhënë fund kësaj lufte,” shtoi ai.
“Kjo ka të bëjë me Amerikën që udhëheq botën. Dhe të gjithë aleatët tanë janë pajtuar me këtë. Dhe meqë ra fjala, para se të merrja këtë vendim, isha në G7, si dhe u takova me partnerët tanë në NATO, dhe u thashë të gjithëve, çdo njëri prej tyre e dinte dhe ishte dakord me vendimin që mora për t’i dhënë fund – bashkërisht-përfshirjes sonë në Afganistan, “tha Biden. s.b/abcnews.al/