Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka konsideruar të suksesshme sulmet ajrore ndaj Jemenit të enjten në mbrëmje, në komentet e tij të para publike për këtë rast, shkruan The Guardian.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën bombardimet të enjten në mbrëmje ndaj caqeve të grupit rebel të Jemenit, Houthi. Sipas grupit, pesë anëtarë të tyre vdiqën nga sulmet, ndërsa kanë paralajmëruar se do të përgjigjen ashpër. Por SHBA-ja e kishte njoftuar Houthin para se ta bombardonte, duke vënë në pah synimin që nuk do konflikt të zgjeruar. Fuqitë perëndimore bombarduan Houthin pasi grupi rebel sulmonte anijet në Detin e Kuq që nga nëntori.
Bideni foli shumë shkurt përpara një ngjarjeje të premten pasdite në Pensilvani, për të promovuar politikat e tij ekonomike.
“Ne do të sigurohemi që do t’i përgjigjemi Houthit nëse ata vazhdojnë këtë sjellje të egër, së bashku me aleatët tanë”, ka thënë Biden.
I pyetur nga një gazetar nëse ai mendonte se sulmet kishin qenë të suksesshme, Biden u shpreh: “Po. Shumë. Nuk mendoj se ka viktima civile. Kjo është një arsye tjetër pse është e suksesshme”.
Bideni më pas u ofroi gazetarëve kafe dhe u tha atyre se do të fliste për aksionin ushtarak pasi ta përfundonte fushatën