Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet të hënën me presidentin kinez, Xi Jinping, në margjinat e Samitit të G20-ës, i cili mbahet javën e ardhshme në Bali të Indonezisë.
Ky takim ballë për ballë që vjen në mes të marrëdhënieve gjithnjë e më të tensionuara SHBA-Kinë, njoftoi Shtëpia e Bardhë të enjten.
Ky do të jetë takimi i parë fizik midis liderëve të dy ekonomive më të mëdha në botë, që kur Biden u bë president në janar të vitit 2021.
Takimi vjen disa javë pasi presidentit kinez iu dha një mandat i tretë, pesëvjeçar në krye të Partisë Komuniste Kineze.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se liderët do të takohen për të “diskutuar përpjekjet për të ruajtur dhe thelluar linjat e komunikimit midis dy vendeve”.
Biden u tha gazetarëve të mërkurën se ai synon të diskutojë me Xi për tensionet në rritje midis Uashingtonit dhe Pekinit mbi ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit, politikat tregtare, marrëdhëniet e Pekinit me Rusinë dhe çështje tjera.
Biden dhe Xi udhëtuan së bashku në SHBA dhe Kinë në vitin 2011 dhe 2012, kur të dy liderët po shërbenin si zëvendëspresidentë të vendeve të tyre përkatëse.
Ndërsa prej kur Biden u bë president në janar 2021, ata kanë zhvilluar pesë telefonata.
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës janë rritur në muajt e fundit, sidomos pas një vizite në Taipei të udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi.
Kina, më pas, ka kryer stërvitje të mëdha ushtarake, si kundërpërgjigje ndaj vizitës së Pelosit.
Tajvani i ka dënuar veprimet e Kinës dhe i ka konsideruar “tejet provokative”. /REL