Presidenti Biden dhe Kryeministri i Indisë Narendra Modi zhvillojnë sot një takim virtual.
Takimi ndodh ndërsa Presidenti Biden po u kërkon udhëheqësve të vendeve të tjera të mbajnë një qëndrim më të ashpër ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë.
Qëndrimi neutral i Indisë ka shkaktuar shqetësime në Uashington. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e përshëndeti Indinë për atë, që siç u shpreh ai, “gjykon situatën në tërësi dhe jo në mënyrë të njëanshme”.
Më së fundmi, India abstenoi kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, vendosi ta pezullojë Rusinë nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut me 47 vende anëtare.
India vazhdon të blejë lëndë energjitike nga Rusia, megjithë trysinë nga vendet perëndimore që të shmangë blerjen e gazit dhe naftës ruse.
Uashingtoni po ashtu ka shqyrtuar mundësinë e sanksioneve ndaj Indisë për blerjen kohët e fundit të sistemeve të avancuara kundër-ajrore nga Rusia.
Muajin e kaluar, kompania shtetërore e naftës e Indisë bleu 3 milionë fuçi nafte nga Rusia, megjithë kërkesat e vazhdueshme nga Perëndimi, që të mos i blinte.
India nuk është vendi i vetëm që blen nga Rusia lëndë energjitike. Disa vende evropiane, si Gjermania, kanë vazhduar të blejnë, megjithë trysninë për t’i anuluar kontratat.
Shtypi i Indisë njofton se Rusia ka ofruar një ulje çmimi me 20 për qind për naftën e saj.
Iraku është furnizuesi kryesor i Indisë duke plotësuar 27 për qind të nevojave të saj, Arabia Saudite e dyta me 17%, e pasuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe me 13% dhe Shtetet e Bashkuara me 9%, sipas agjencisë indiane të lajmeve “Press Trust of India”./VOA