Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i ka bërë presion kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të dielën për të rritur “menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme” fluksin e ndihmave humanitare në Gaza. Sipas Shtëpisë së Bardhë, kërkesa u bë gjatë një telefonate që u zhvillua midis liderëve.
Kërkesa vjen pasi kriza humanitare po përkeqësohet pas zgjerimit të sulmit izraelit në brez. Agjencitë e ndihmës thonë se ushqimi, uji dhe ilaçet janë në mungesë. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se SHBA po i bën presion Izraelit të zgjerojë ndihmën në Gaza, duke i përshkruar bisedat si herë pas here të vështira.
“Ne kemi biseda, si miqtë, për çështjet e vështira … mbi çështjet që lidhen me ndihmën humanitare,” tha të dielën për CBS këshilltari i sigurimit kombëtar të SHBA, Jake Sullivan.
Zyrtarët amerikanë presin që në ditët në vijim, deri në 100 kamionë ndihma do të fillojnë të hyjnë në Gaza në ditë, pasi Izraeli ra dakord të përshpejtojë inspektimet e autokolonave që transportonin mbështetje jetike humanitare, sipas një burimi të njohur./abcnews.al