Nga Dashamir Biçaku
Behar Sofia u ekzekutua e u shua krejt pa zhurmë buzë rrjedhës së Lanës mesditën e 25 shkurtit, vetëm pak metra larg pallatit shumëkatësh në qendër të Tiranës, ku kishte investuar shtëpinë e tij luksoze. Sigurisht që te familja dhe të njohurit e tij shkaktoi dhimbje e hidhërim. Më tej, qe e natyrshme buja që rrodhi në media për vetë gjurmët e lëna në jetëshkrimin e tij profesional, atë të trafikut ndërkombtar të drogës Turqi-Shqipëri e gjetkë. Për një aferë të tillë, me 200 kg heroinë të kapura nga policia turke vite më parë, 66-vjeçari është dënuar në Turqi e për këtë shkak nuk shkelte dot më atje. Po ashtu mbetet i paqartë rasti i kapjes së disa ngarkesave me heroinë në Gaziantep e Bursa në vitin 1998, kur u arrestua një person me emrin Fatmir Sofia. Konfuzioni është nëse ishte ai apo i vëllai, Fatmir Sofia duke qenë se kishte dyshime se ishin ndërruar shpesh identitetet.
Burimet policore konfirmojnë se në këtë rast ka qenë i vëllai i Behar Sofisë, ndërsa ky vetë ishte aktiv në të gjitha ngarkesat dhe një nga organizatorët më të mëdhenj të trafikut të drogë. Kjo konfirmohet nga agjencitë e antidrogës në Shqipëri dhe Turqi. Në rastin e vitit 1998 u arrestuan edhe disa turq, por dhe disa shqiptarë që tashmë njihen si të katapultuar në “biznese të ndershme” të industrisë së vendit. Mes të arrestuarve ishte edhe një nga bosët turq të trafikut, Abdulselam Turgut, i cili më vonë gjeti strehë në Shqipëri deri në arrestimin e tij në vitin 2010. Por një vit më vonë, Gjykata e Apelit “i dha lirinë” për t’u arratisur ndërsa ata që e liruan dhe ndihmësit e tij nuk iu hyri gjemb në këmbë. Vite më vonë, Abdulselam rezultoi të ishte pjesë organizatorëve të atentateve të mundshme terroriste në Shqipëri, të drejtuara nga Garda Kombëtare Iraniane.
Lidhjet e Behar Sofisë së paku ato të viteve të shkuara, nuk do shumë mend të llogariten se ishin të një kalibri tepër të lartë në hierarkinë e krimit të organizuar në Ballkan, por edhe më gjerë. Sigurisht, bashkëpunimi i trafikantëve me grupime me tendenca të rrezikshme terroriste si rasti në fjalë, mund të kishte sjellë pasoja të pallogaritshme, nëse nuk do të ishte ndërhyrë në kohë në vitin 2018. Tashmë i tërhequr për të shijuar “pensionin” dhe pasuritë e tij, fitime të përziera me bizneset dhe trafikun e drogës, Behar Sofia mendonte se hesapet e vjetra me aferat qindrakilogramëshe ishin harruar. Por atentati krejt pa zhurmë në zemër të Tiranës, e zuri në befasi atë. Po ashtu risolli në kujtesë mësimin e thjeshtë se asgjë nuk harrohet. Ngjan si e çuditshme, por vrasja e Sofisë vjen në rrjedhën e vrasjeve të tilla të sofistikuara si ajo e konfliktit të familjeve Reçi e Gjini në Mirditë. Saga e hakmarrjes mes tyre ka shkaktuar së paku 7 të vrarë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe Itali e Belgjikë. I fundit ishte Anton Keli, kushëri i Tonin e Preng Gjinit.
Ky i fundit që tashmë ka braktisur prej kohësh uniformën e policisë, ndërsa shpëtoi mrekullisht me disa plagë të rënda një atentati me eksploziv më 15 shtator të vitit të kaluar, pranë urë së NSHRAK-ut. Për fat të mirë, edhe pse në një zonë të populluar, pasojat nuk qenë tragjike. Atentati i 15 shtatorit, por veçanërisht ekzekutimi i Behar Sofisë, risjell në vemendje të publikut luftën e egër të klaneve të trafikut të drogës ndaj njëri-tjetrit për të larë hesapet, hakmarrje, për kontroll të territorit të punëve të pista etj. Kjo është realizuar nga personazhe, pasurimi i shpejtë i të cilëve shpesh ka bërë që t’i njohim të veshur me xhaketën e “biznesmenit të ndershëm”. Përtej kostumit të tyre të shtrenjtë, veturës dhe pasurisë së majme, egërsia dhe jehona e krimit shkojnë në projeksion të drejtë me hakmarrjen. Sa më e egër, me zhurmë e spektakël të kryhet hakmarrja, aq më i fortë ngushëllimi dhe prehja shpirtërore për njeriun e humbur. Jo pak herë shpagim kërkohet edhe për kilogramët e mallit të humbur dhe pazaret e prishura.
Ekzekutorët nuk duan t’ia dinë për pasojat, edhe pse fare mirë i dinë. Gra, fëmijë, të moshuar, e njerëz të rastësishëm mund të jenë padashur pre e luftës së egër të qëruesve të hesapeve. Sigurisht që për fëmijët jetimë nuk mendon kush shumë. Kështu ka nisur të perceptohet idea e hakmarrjes në Shqipëri, ku rregullat e Kanunit të dikurshëm po zëvendësohen me rregulla të frymëzuara nga eksperienca e organizatave të huaja kriminale. Edhe pse të sofistikuar, atentatet ndaj Behar Sofisë, Anton Kelit, Preng Gjinit e të tjerë syresh, enigma për policinë nuk është e vështirë. Përgjigjja gjendet tek e shkuara e afërt apo e largët e personazheve. Edhe për familjet Reçi e Gjini, konflikti pati lindur në Itali, pas vrasjes së Gaspër Gjinit që kishte shkak humbjen e një sasie droge me vlerë 3 milionë euro. Ky është së paku motivi zyrtar. Saga vijoi me vrasjen e Anton Gjinit (personazh i njohur edhe në bandën e Met Kananit, e goditur nga DEA dhe autoritetet në Turqi, Greqi e Shqipëri), e më pas ekzekutimin me snajper i Kastriot Reçit më 7 janar 2020 në Rrëshen.
Në një vështrim të shkurtër të situatës kriminale në Shqipëri, shihet se pas vitit 2006, që me goditjen e bandës së Aldo Bares, asaj të Durrësit, e njohur si banda e Lulëzim Berishës, e disa të tjerave, duket se krimet e “niveleve të larta” në vend, janë importuar nga konfliktet e kriminale të ngjizura të jo pak raste jashtë vendit. Pas goditjes së këtyre grupeve në vitin 2006, prokuroria dhe policia sekuestruan edhe shumë asete që kishin në pronësi dhe vlera të mëdha monetare. Por aktiviteti i kësaj kategorie nuk do të ndalojë nëse nuk goditen hap pas hapi. Vetëm pak kohë nga dalja e Berishës nga burgu, ai u bë objekt i një hetimi për shantazhimin e bizneseve të karburanteve në Durrës. Pa u tharë boja mbi këtë dosje, ai u rishpall në kërkim si organizator për vrasjen e ish presidentit të Federatës së Boksit, Vajdin Lamaj.
Natyrisht, përfshirja direkte apo indirekte e çdokujt në këtë “industri” do të ketë koston e saj me shumë gjak të derdhur rrugëve. Serialet e hakmarrjeve të grupeve rivale, në kohë nuk kanë kursyer as edhe të afërmit e tyre që në shumë raste mund të mos kenë pasur lidhje me aktivitetet kriminale, të të afërmve. Rasti tipi është ai i dhjetorit të vitit 2019, kur u rrëmbimye Jan Prenga e më pas u trupi i tij zhduk nga një grup që drejtoheshin nga Altin Hajri. Shkak dihet se u bë vjedhja e një sasi kokaine nga vëllai i të rrëmbyerit në Angli.
Pas kësaj ngjarjeje, hoteli dhe pronat e familjes Hajri u rikonfiskuan. Ato ishin liruar nga një gjykatë në Durrës, me një vendim të tmerrshëm, pak muaj pasi njësia e Antikrimit të Organizuar në Durrës i kishte kyçur pikërisht për shkak të origjinës së dyshimtë të parave. Në një shtet ku funksionon drejt dhe peshon çekiçi i gjyqtarit, pasuri të tilla do të kishin përfunduar në duart e shtetit me kohë, ose do të ishin asgjësuar, e krijuesit e tyre nuk do të mund t’i rifitonin. Pavarësisht kësaj, herët a vonë, krijuesit e tyre nuk kanë asgjë të sigurt. Për fat të keq, ekzekutimi i Behar Sofisë dhe seriali i familjes Gjini, është dëshmi e qartë e drejtëisë që ka funksionuar mbi bazë të Kodit Penal, të ndërtuar nga gjyqtarë me pasuri marramendëse e biznese po ashtu të pista. Rruga nëpër të cilën ato janë vënë, shërben si një parashikues fati dhe për ata vetë. Lufta mes tyre nuk besoj se do të përfundojë lehtë. Grupet me siguri do të sofistikojnë hakmarrjen, dhe organeve të hetimit do t’iu duhet po ashtu të sofistikojnë mjetet e gjurmimit. Veç kësaj, kostoja shkon përtej grupeve rivale.
Tek të afërmit apo edhe tek njerz rastësorë. Dashur pa dashur, çdokush mund të jetë objektiv aksidental i një lufte mes grupeve kriminale. Raste të tilla kur njerëz të pafajshëm, lidhje dytësore të këtyre grupeve “janë djegur si i njomi për të thatin”, duke qëndruar pranë tyre apo duke qenë miq me ta nuk janë të panjohura. Deri sa kjo kategori të ketë pastruar mirë hesapet mes vetes, shijojeni kafen e mëngjesit me familjen tuaj në një bar më pak luksoz nga bare të tilla ku mund të organizohen dasma luksoze, e në të njëjtën kohë kur ju pini kafenë, pranë jush jep shpirt një bos i trafikut të drogës i eleminuar me silenciator. Zgjidhni mik më mirë shitësin e frutave poshtë pallatit tuaj, taksistin e lagjes që me gjasë mund ta njihni. Duart me kallo apo me baltë të një punëtori sigurisht që janë më të pastra se ato që mbështeten te modeli i fundit i Mercedezit, BMW-së apo Lamborghini-t. Në fund të fundit, asgjë nuk harrohet në botën e punëve të pista të krimit e veçanërisht të kalibrit të personazheve të mësipërm./ Abcnews.al