Biblioteka Kombëtare ekspozon thesaret, libra e dorëshkrime prezantohen për herë të parë

schedule09:42 - 27 Tetor, 2020

schedule 09:42 - 27 Tetor, 2020

Biblioteka Kombëtare ka nxjerrë nga arkiva në një ekspozitë mbi 800 vepra të rralla dhe origjinale. Publiku do të mund të shohë jo vetëm botime historike, por libra të vyer që për herë të parë shohin dritën e ekspozimit.  Mëngjesin e sotëm ishin të ftuar në emisionin “Abc e mëngjesit” Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Pirro Misha dhe Drejtoresha e Agjensisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridiana Çano për të dhënë më tepër detaje rreth ekspozitës.

Prezantimi i librave me rastin e 100 vjetorit të Bibliotekës Kombëtare sjell rrugëtimin e saj, që nga fillimet e saj kur u krijua dhe deri më sot. Sipas Mishës, ekspozita ka për qëllim të arrijë një efekt surprizë, me libra dhe dorëshkrime që janë pak ose aspak të njohura për syrin e publikut.  “Është një ekspozitë që ka elementë të fortë surprizë dhe nga 800 vepra që ekspozohen,  20 % janë ekspozuar në momente të ndryshme. 80 % ekspozohen për herë të parë“, tha ai.

Ekspozita ishte menduar që të qëndronte e hapur deri në 31 Tetor në COD tek Kryeministria, por siç theksoi Çano do të zgjasë deri në 11 Nëntor si dhe gjithashtu do të jetë e hapur për publikun dhe gjatë fundjavave.  “E kishim menduar deri në 31 Tetor por tani e kemi shtyrë deri në 11 Nëntor dhe do t’i japim mundësi publikut që ta shijojë dhe gjatë fundjavës në oraret 9:30-14:30 në drekë dhe nga 5:30-21:30 në darkë.”, tha ajo.

Misha e cilësoi ekspozitën si një ndër më të mëdhatë të organizuara ndonjëherë, pjesë e së cilës janë një sërë veprash dhe dorëshkrimesh të Aristotelit, Shën Agostinit etj por dhe veprat e atyre që lanë gjurmë në trashëgiminë tonë të shkruar duke nisur nga Bogdani, Budi, De Rada, Sami Frashëri etj. /abcnews.al