Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.
“Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha Zeqiri.
“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti [i komunës]”, tha ai pas betimit.
Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore “Isa Boletini” në fshatin Boletin të Zveçanit.
Betimin pritet ta bëjë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj.
Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.
Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.
Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.
Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.
Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t’i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.
Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor” me “të gjitha mjetet”.
Simiç nuk ka specifikuar më shumë.
Reagimet nga Beogradi
Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se kjo është përpjekje për “presion mbi serbët” që “të largohen nga shtëpitë e tyre”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka quajtur
“pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.
As Vuçiç, as Petkoviç nuk kanë ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre.
Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?
Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.
Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”./REL