Shtatë deputet të rinj ka parlamenti shqiptar nga dita e mërkurë kur dy kandidatë të listës së Partisë Demokratike dhe 5 nga ajo e lëvizjes socialiste për integrim pranuan mandatin e deputetit. Shkon kështu në 93 numri total i deputetëve në Parlament.
“Pa kaluar ende tre jave nga djegia ne bllok e mandateve te opozitës, numri i deputeteve të parlamentit shqiptar arrin në 93, duke plotësuar kështu edhe numrin e votave të nevojshme për ligje që kërkojnë 3/5-tat ne votime”.
Shtatë deputetë të rinj iu shtuan të mërkurën e 13 marsit, opozitës parlamentare.
Lefter Maliqi, Alban Zeneli, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halilaj, Ediola Braha, Edlira Hyseni dhe Elda Hoti edhe pse refuzuan vendimin politik të partivve që i kandiduan, PD dhe LSI arsye japin luftën ndaj mazhorancës, fushë-betejë të së cilës njohin parlamentin.
Alban Zeneli: “Luftën e bëj më mirë në cilësinë e deputetit”.
Por pavarësisht kësaj, foltoren e seancave plenare e shfrytëzoi vetëm njëri prej tyre dhe shpatën ia drejtoi atij të cilit i zuri vendin në sallë, kryedmeokratit Lulzim Basha.
Lefter Maliqi: “Brenda dy muajve rreshti i opozitës do jetë plot, mos kujtojnë ata jashtë se janë më të mirë se ne këtu. Dua t’i drejtohem demokratëve të ndërrojnë lidership, nuk janë protesta ato”.
Thonë se do pozicionohen aty ku i çoi vota e qytetarëve: në opozitë.
Lefter Koka: “Ne jemi votuar për opozitare dhe do jemi në opozitë me qeverinë”.
Por sa i përket reformës zgjedhore…
Ligoraq Karamelo: “Ne do funksionojmë si opozitë e bashkuar. Ardhja në Kuvend për gjëra madhore si çështjet e integrimit dhe reformave”.
Lefter Koka: “Ne jemi kthyer në qesharak për shkak të atij Kodi, po të vijojnë ti binden krerëve të partisë për largime parlamenti nuk do funksionojë më, ndaj çdo nismë që siguron përfaqësimin e qytetarëve do ketë mbështetjen time dhe të opozitës”.
Të paktën edhe dy kandidatë të tjerë të dalë nga listat shumë-emërore të Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë dorëzuar formularin e dekriminalizimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, hapi i parë drejt marrjes së mandatit të deputetit, duke e çuar në 95 numrin e karrigeve të ligjvënësit shqiptar./abcnews.al

