Teksa e gjithë bota feston krishtlindjet, në djepin e krishtërimit për të dytin vit radhazi kremtimet e kësaj dite të shenjtë kanë mbetur në plan të dytë nga lufta.
Në Bregun Perëndimor të pushtuar, pak njerëz ecin përreth Kishës së Lindjes së Krishtit në Betlehem
Policia, ushtarët, zyrtarët dhe gazetarët janë pothuajse të vetmit në zonën e Kishës, e ndërtuar mbi shpellën ku lindi Jezu Krishti, sipas traditës së krishterë.
Një pemë e madhe e Krishtlindjeve është vendosur në sheshin aty pranë, por, si vitin e kaluar, autoritetet lokale kanë vendosur të mos mbajnë asnjë festë të madhe.
Kryebashkiaku i Betlehemit tha se zbukurime nuk janë vendosur nëpër rrugë si për t’i treguar botës se Palestina ende po vuan nga pushtimi izraelit.
Por kisha më e vjetër e krishterë pritet të jetë më e mbushur me njerëz për shërbesën e mesnatës, e cila do të drejtohet nga patriarku latin i Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa.
Teksa ky vit po mbyllet në 14 muaj luftë në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 45 mijë palestinezë, shumica prej tyre civile.
Edhe pa një atmosferë festive për shkak të luftës, të krishterët në Tokën e Shenjtë – rreth 185,000 në Izrael dhe 47,000 në territoret palestineze – mblidhen për t’u lutur.
Lutja e këtij viti nga kryebashkiaku i Betlehemit ishte që Zoti t’u japë fund vuajtjeve të palestinezëve, të sjellë në rajon paqen që Jezusi solli në botë./abcnews.al