Gjykata që do të vendosë nëse Alfred Beleri do të betohet apo jo në bashkinë e Himarës është Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë. Sipas vendimit të zbardhur të Gjykatës së Lartë, thuhet se lejen e posaçme mund t’ia japë vetëm prokuroria dhe jo Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në vendimin e zbardhur thuhet se, prokuroria e posaçme është organi kompetent që mund të vlerësojë nëse dhënia e lejes për betim mund të ndikojë ose jo në rezultatin dhe ruajtjen e sekretit të hetimit. Gjykata e lartë gjithashtu ka vendosur që kjo kërkesë të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues i ndryshëm nga ai i themelit që po zhvillon procesin ndaj Belerit.
Mësohet se shorti ka përcaktuar gjyqtaren e posaçme Flojera Davidhi ndërsa nuk është vendosur ende një datë. Nga ana tjetër, Beleri ka pretenduar se mbahet padrejtësisht në qeli dhe se akuzat e prokurorisë janë me prapavijë politike.
Përveç Belerit me të njëjtën akuzë u vu në pranga edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokasveshi, por u lirua disa ditë më vonë për shkak se shfaqi probleme shëndetësore. Sipas prokurorisë hetimi nisi më 8 maj pas informacioneve të siguruara nga policia e Vlorës se një grup personash në zonën e Himarës përfshi edhe Belerin jepnin nga 50 deri në 200 euro në këmbim të blerjes së votave./abcnews.al
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!