Nga Edi Oga:
Në Shqipëri këto ditë ‘luftohen’ mjaft beteja njëkohësisht:
- Luftohet me varfërinë. Çmimet rriten e paratë nuk dalin.
- Luftohet për drejtësinë. Vetting-ut iu zgjat jeta. Me hir a me pahir, politika ‘vendosi’ të vazhdojë ‘pastrimin’ e drejtësisë.
- Luftohet për 6 ‘bashki’. Partitë politike të opozitës (!) po përpiqen të marrin sa më shumë nga ajo që partia në pushtet mund të lërë për ta.
- Luftohet për të ruajtur shtëpitë nga shteti. Mijëra qytetarë protestojnë dhe refuzojnë t’i binden një plani ‘rregullues’, i cili cënon cilësinë e jetës së tyre sot dhe nesër.
- Luftohet me kovidin, por duket se jemi në fund të kësa lufte dhe e kemi fituar atë.
- Luftohet për FSHF-në. Sikur ta donin ‘topin’ aq sa duan ‘lekun’, do të kishim ekipe në
Champions dhe Kombëtare të fortë.
Këto janë ‘betejat’ për të cilat gëlojnë më së tepërmi mediat këto ditë. Sigurisht që gjithsekush ka edhe betejat personale të cilat mund të jenë edhe më të rëndësishme se ato më lart. E megjithatë, ‘nëna’ e të gjitha luftërave, është ajo që mos e dhëntë Zoti të fillojë. Ndonëse mijëra kilometra larg nesh, ‘era e barutit’ të luftës Rusi-Ukrainë, do t’i mbyste ‘aromat’ e këtyre betejave tona të përditshme. Mos ardhtë kurrë ajo ditë!/abcnews.al