Tirana, do të jetë sheshbeteja kryesore e gjuetisë së mandateve në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Me 37 mandate në total, 12 prej të cilave janë të sigurta, 25 të tjerat do të jenë në lojë të hapur gati 1/4 e parlamentit të Shqipërisë.
Gara do të jetë interesante, dhe një pasqyrë paraprake e asaj që pritet të ndodhë, mund të parashikohet nga zgjedhjet më të fundit, lokalet e 2023.
2 vite më parë, në Tiranë morën pjesë në votime 302 mijë qytetarë. Referuar kësaj pjesëmarrjeje, përpjestuar kjo me numrin e mandateve të kryeqytetit, 37, atëherë një mandat sot në Tiranë mesatarisht vlen 8 mijë e 160 vota, por kjo nuk është uniformë për të gjithë.
Mandatet e sigurta kryesisht do të ndahen mes partive të mëdha. Në rast se Partia Socialiste merr të njëjtin rezultat në vota si në 2023, atëherë shkon në 19 mandate, nga të cilat 7 të sigurta. Për mandatin e 20-të, socialistëve u duhen mbi 4 mijë vota.
Partia Demokratike, me rezultatin e 2023, bashkë me Partinë e Lirisë e aleatë, shkon në 12 mandate, nga të cilat 5 nga lista e mbyllur, për të 13-tin, u duhen edhe 6 mijë vota. Pra dy partitë e mëdha së bashku, shkojnë në 31 mandate.
Në lojë mbeten 6 mandate nga lista e hapur.
1 mandat shkon për Partinë Social-Demokrate të Tom Doshit, e cila në zgjedhjet e 2023 mori 12 mijë e 796 vota.
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, e cila në zgjedhjet e 2021 në Tiranë, mori pjesë me dy kandidatë në listat e Partisë Demokratike, Shpëtim Idrizin dhe Mesila Dodën, kombinuar së bashku po ashtu sigurojnë me 9 mijë votat e tyre një deputet.
Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit, në zgjedhjet e 2023, mori 13 835, duke siguruar një mandat në rast se ruajnë këto vota.
Në lojë është edhe koalicioni i ri opozitar, Shehi-Alibeaj që po tentojnë të afrojnë edhe Lulzim Bashën, që referuar votave të këtyre të fundit në zgjedhjet e 2023, e sigurojnë po ashtu një mandat me 12 mijë votat e kandidatit të tyre.
Por në lojë është dhe 1 mandat, i 37-ti. Në zgjedhjet për Tiranën do të ketë edhe kandidatë të tjerë të rinj, por në rast se gara ngelet tek partitë e sipërpërmendura, më afër mandatit të 37-të do të ishte Arlind Qori, i rrezikuar nga Tom Doshi të cilit i duhen rreth 1 mijë e 100 vota për të rrëmbyer mandatin e dytë. Por sigurisht ka dhe parti të tjera që mund të tentojnë mandatin e fundit, parti që kanë lindur më vonë e që për momentin janë kalitur vetëm nëpër rrjete sociale. Një gjë është e sigurt. harta politike e mandateve të tiranës është një pasqyrë e vogël e hartës politike të shqipërisë. Në mos të 2025, në zgjedhjet e ardhshme të rregullta, ato të vitit 2029./abcnews.al