Beteja për Tetovën: Votat e saj në këmbim të votave për Gostivarin

schedule22:21 - 29 Tetor, 2021

schedule 22:21 - 29 Tetor, 2021

Lëvizja Besa e Bilall Kasamit po lufton fort për të marrë Tetovën dhe për të rrëzuar nga froni Teuta Arifin e BDI-së. Në balotazh ka tashmë edhe mbështetjen e partisë opozitare Aleanca për Shqiptarët të Zijadin Selës. Të dy palët i bashkon dëshira për të mundur BDI-në e Ali Ahmetit.

“Tash në balotazh, kemi një marrëveshje parimore me Aleancën për Shqiptarët , ata na përkrahin në Tetovë dhe Zhelinë, ku ne si Lëvizje Besa, jemi në garë me kundër-kandidatë nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe në gjithë komunat e tjera ku në balotazh është Aleanca për Shqiptarët me Bashkimin Demokratik për Integrim, ne kemi kërkuar nga aktivistët tanë dhe nga votuesit tanë që ta përkrahin Aleancën për Shqiptarët dhe kandidatët e saj,” thotë për emisionin Ballkan, Bilal Kasami.

Situata është pak më e ngatërruar dhe më pragmatike. Besa është në koalicion me LSDM-në në nivel qendror dhe LSDM-ja është në koalicion me BDI-në, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal. Kasami thotë se zgjedhjet lokale janë diçka tjetër. Ai komenton edhe rënien e konsiderueshme të social-demokratëve të Zaevit në këto zgjedhje dhe fitoren e opozitës VMRO-DPMNE.

“Ky ishte një dështim I LSDM-së, që të ofrojë kandidatët më të mirë që I kërkon elektorati, sepse jo që kemi rritje të votave të VMRO-së, në vende të caktuara, kemi edhe rënie apo stagnim të votuesve dhe votave për VMRO-në, por kemi një përgjysmim të votave për LSDM-në. Pra ky rezultat është rënie drastike e votave për LSDM-në, sesa ndonjë rritje e ndjeshme për VMRO-në,” deklaroi Kasami në Ballkan.

Maqedonia e Veriut mban raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të dielën dhe qytetet më të mëdha të vendit, përfshi kryeqytetin Shkupin, shkojnë të gjitha në balotazh. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!