Beteja për markën “Maqedonia”, ekspertët: Ruhuni nga grekët dhe kur ju sjellin dhurata

schedule15:30 - 27 Korrik, 2019

schedule 15:30 - 27 Korrik, 2019

Nuk dihet nëse në Maqedoninë e Veriut ata që duhet të jenë më të shqetësuar nga deklaratat e kryeministrit grek Micotaqis, janë politikanët apo biznesmetë. Kreu i ekzekutivit grek theksoi se në betejën për mbrojtjen e markës tregtare “Maqedonia” do të shfrytëzojë të gjitha mjetet që Greqia të përfitojë sa më shumë. Ekspertët në Maqedoninë e Veriut bëjnë apel për kujdes.

Në tre vitet e ardhshme, derisa zgjasin bisedimet e Komisionit për markat tregtare, dispozitë e dalur nga Marrëveshja e Prespës, gjendja rreth shenjave tregtare dhe shënimin e prejardhjes së produkteve në Greqi dhe në Maqedoninë e Veriut nuk do të ndryshojë. Pas arritjes së pajtueshmërisë do të dihet nëse fryma e Marrëveshjes së Prespës, në plan politik, do të pasqyrohet edhe në fushën e biznesit.

Marin Gavrillovski, Ekspert për Pronë Industriale: “Derisa zgjasin bisedimet nuk ka asnjë lloj restriksioni, asnjë kufizim në lidhje me atë sa kompani maqedonase dhe sa persona fizikë do të mund ta përdorin termin “Maqedoni” ose termet tjera që dalin prej tij, dhe të njejtat t’i mbrojnë si marka tregëtare”.

Por, duke pasur parasysh faktin që për qeverinë greke kjo çështje është e pozicionuar lart në agjendën politike, ndërsa kryeministri Kirjakos Micotakis këtyre ditëve në Kuvend theksoi se edhe procesin e hyrjes së Maqedonisë së Veriut do t’a shfrytëzojë si mjet për përfitim të palës greke dhe për mbrojtje të brendit “Maqedonia”, Gavrillovski pajtohet se janë vështirësuar pozitat negociuse të kolegëve të tij në Komision.

Marin Gavrillovski, Ekspert për Pronë Industriale: “Po, duket se erëra pak më rigjide fryjnë nga jugu. Qeveria e re greke theksoi se pikërisht çështjet e hapura të marrëveshjes, për të cilat do bisedohet në një farë mënyre do të jenë mjet i tyre, nëse jo për frenim, atëherë për ngadalësim të rrugës së vendit tonë drejt BE-së dhe për negociatat që presim të fillojnë. Mendoj se do të ketë ndryshim të vogël në raportin e qeverisë së re greke, për dallim nga ajo që ishte me qeverinë e Cipras, e cila kishte raport më real”.

Gavrillovski vlerëson se kjo çështje për autoritetet greke është më shumë politike sesa tregëtare.

Marin Gavrillovski, Ekspert për Pronë Industriale: “Kjo është më shumë çështje politike, në qoftë se merret parasysh se numri i markave tregëtare të cilat e përdorin termin “Makedonija”, “Macedonia”, “mkd”, ose “mk”, është i parëndësishëm, më pak se 200 marka tregëtare, më saktë Greqia ka  më shumë se 1000. Këtu shihet se në fakt nuk bëhet fjalë për çështje tregtare, nga fusha e pronës industriale, por ajo ngadalë do të shëndrrohet në çështje politike”.

Duke pasur parasysh përparësinë politike të Greqisë, si anëtare e BE-së me të drejtë vote dhe vetoje, Gavrillovski kolegëve të tij në Komisionin për bisedime për prejardhjen e produkteve u apelon:

Marin Gavrillovski, Ekspert për Pronë Industriale: “Ruhuni nga Grekët edhe kur ju sjellin dhurata!” . ABC News Albania 24/7