Beteja e Presidentit, KLGj vendos: Ardian Dvorani largohet nga detyra, ikën edhe nga KED

schedule17:32 - 11 Qershor, 2020

schedule 17:32 - 11 Qershor, 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur mbarimin e ushtrimit të detyrës së Ardjan Dvoranit si gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

Anëtaret kanë vendosur me 6 vota pro për përfundimin e ushtrimit të detyrës së Ardian Dvoranit, ndërsa 4 prej tyre kanë qenë kundër, ndërsa anëtari Dritan Hallunaj mungonte.

Ardjan Dvorani pas vendimit të KLGJ për mbarimin e mandatit si gjyqtar në gjykatën e Lartë, largohet edhe nga drejtimi i KED.

KLGJ u vu në lëvizje pas kërkesës së presidentit Ilir Meta, në  konfliktin mes tyre për procedurën e dekretimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili vijon tashmë prej gati 9 muajsh.

Meta i kërkoi KLGJ që të shprehej ose të njoftonte përfundimin e mandatit të Dvoranit.

Më herët KLGJ shtyu mbledhjen për çështjen “Dvorani” me arsyetimin se do duhet të pritet edhe mendimi i partnerëve të huaj.

Por dy misionet e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës EURALIUS dhe OPDAT refuzuan të japin opinion lidhur me çështjen e mbarimit të mandatit të kreut të KED, Ardian Dvorani.

Ata thanë se nuk pranojnë të japin opinione për çështje individuale, pasi kjo në rastin konkret është përgjegjësi ekskluzive e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Siç raporton gazetarja Erneta Shervorja për abcnews.al, në mbledhjen e sotme, relatorja e çështjes Marcela Shehu gjatë seancës u shpreh se Dvoranit i ka mbaruar detyrimi kushtetues për të pritur pasardhësin e tij, dhe se qëndrimi në detyrë mbi afate, cenon dhe vë në rrezik parimet e kushtetutës.

Ndërkohë anëtari tjetër Alban Toro, u shpreh se këshilli duhet të shprehet, të konstatojë mbarimin e detyrimit të Dvoranit në Gjykatën e Lartë.

Sakaq edhe Brikena Ukperaj është shprehur se nuk gjendet asnjë dispozitë që parashikon se Dvorani do të zëvendësohet nga anëtari i parë, i dytë apo i tretë, dhe se detyrimi i Dvoranit për të ndërprerë detyrën është kur vjen anëtari i 4-t, i cili duhet të jetë përzgjedhur nga radhët e juristëve të spikatur.

Brunilda Kadi u shpreh se, që në datën 13 mars, në momentin që është betuar gjyqtari i parë përpara Presidentit, zotit Dvoranit i ka mbaruar jo detyrimi, por e drejta dhe mundësia që ai të qëndrojë në detyrë, dhe ai nuk mund ta ushtrojë më.

Kështu, KLGJ me shumicë votash vendosi që Dvorani të njoftohet nga Këshilli për t’u caktuar në një pozicion në Gjykatën e Apelit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!