Besnikëri dhe gjest i bukur, Pescara falënderon kapitenin Memushaj

schedule11:58 - 21 Maj, 2021

schedule 11:58 - 21 Maj, 2021

Ky sezon ishte për t’u harruar për Pescara. Ekipi e mbylli kampionatin në vend të parafundit, nuk ia doli të sigurojë qëndrimin në Serie B dhe sezonin e ardhshëm do të luajë në divizionin e tretë të futbollit italian.

Ledian Memushaj shënoi vetëm një gol këtë sezon, po me veprimin e fundit ka konfirmuar se nuk është kot kapiteni i skuadrës bregdetare. Mesfushori vlonjat ka vendosur të mos braktisë skuadrën, por jo vetëm.

Pescara po kalon një moment të vështirë ekonomik dhe 34-vjeçari i kombëtares shqiptare, i cili qëndron jashtë për shkak të një dëmtimi të pësuar në mars, ka hequr dorë nga rroga e një muaji për të ndihmuar disi klubin.

Pescara njofton se pas një takimi me presidentin Daniele Sebastiani, futbollisti Ledian Memushaj vendosi të heqë dorë nga paga e muajit të qershorit.

Klubi, duke falënderuar lojtarin për gjestin në një moment delikat të klubit, e fton atë të vazhdojë rikuperimin e tij në mënyrë që të jetë i gatshëm për rinisjen e kampionatit të ardhshëm“, lexohet në postimin e Pescara. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!