NRG Band, prej kohësh pjesë e tregut muzikor kanë dhuruar për audiencën mjaft këngë ndër vite që janë kthyer menjëherë në hite. Grupi nga Kosova, që përbëhet nga tre vëllezërit Besnik, Arben dhe Meti Qaka ishin të ftuar në “Rudina” ku folën për karrierën e tyre muzikore 21 vjeçare.
Treshja, të cilët po punojnë për albumin e 6-të u ndalën tek “Rina”, kënga hit e 10 viteve më parë, për të cilën thanë se iu dha atyre një sukses të jashtëzakonshëm. “Është punuar gjatë me muzikën, kjo këngë i ka rreth 5 versione si demo. U punua gjatë, por ja që diçka kur punohet, shpërblehet dhe sot jemi krenarë që kemi arritur diçka të tillë.”, tha Besniku.
Më tej, Besniku tha se fama e këngës u rrit kaq shumë saqë u rrit numri i bebeve vajza me emrin Rina. “Është shtuar numri nëpër spitale i emrit Rina. Po, e di nga një informacion që është rritur numri i emrave Rina.”, tha vokalisti i grupit të njohur. /abcnews.al