Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

Besjana Llakaj dhe 35 fëmijët e saj specialë

schedule14:00 - 1 Janar, 2023

schedule 14:00 - 1 Janar, 2023

Nga Silvia Sulaj

Besjana Llakaj ka 36 fëmijë. Një djalë biologjik dhe 35 të tjerë specialë për të cilët kujdeset çdo ditë në qendrën e zhvillimit në Sarandë. Prej 5 vitesh ajo drejton këtë qendër të Bashkisë së Sarandës siç drejton familjen e saj. Me profesion punonjëses sociale bashkë me një staf të vogël prej 4 personash punojnë fëmijët me nevoja të veçanta.



“Pjesa më e madhe janë fëmijë me autizëm, që janë të vështirë për tu menaxhuar dhe ishte shumë sfiduese në fillim, por ata na kanë mësuar dhe ne kemi mësuar ata. Tashmë jemi në situatë tjetër, po përpiqemi ti ndihmojmë në maksimum dhe ja kemi arritur ti ndihmojmë. Nuk ka asnjë rast të vetëm që të mos të ketë bërë asnjë përparim sado të vogël, por që për ne është shumë domethënës.”

Puna për të, punonjësen sociale, logopedin, fizioterapistin dhe dy edukatoret e zhvillimit nis në ora 8. Më pas vijnë fëmijët dhe nis puna me programe të caktuara më parë.

“Në orën 9 fillojmë me fëmijët të cilët janë të ndarë në grupe sipas nevojës që kanë dhe përcaktohet orari dhe plani i punës. I ndajmë nëpër klasa dhe unë jam sa tek njëra klasë sa tek tjetra dhe nuk ndaloj deri sa të ikë dhe fëmija i fundit.”

Besjana lumturohet kur fëmijët ndryshojnë sjelljet dhe socializohen. Kujton progresin e Sasës.

“Kemi patur një vajzë që ne dhe ajo vetë e quan veten Sasa. Ishte fëmijë me vështirësi të jashtëzakonshme në artikulim. U ndjemë të sfiduar nga çrregullimi që kishte. Me kalimin e kohës dhe me përpjekje të familjarëve, prindërve, motrës, vajza pati një arritje të jashtëzakonshme, filloi të bëhej më sociale më e qeshur, shumë më bashkëpunuese dhe unë në këto 5 vite punë këtu është rasti që vërtet krenohem dhe jam krenare për arritjet që fëmija ka bërë.”

Djalin e saj nuk e ndan nga fëmijët e qendrës. E merr me vete shpesh madje ai ka krijuar shumë afrimitet dhe e ka surprizuar nënën e tij.

“Im bir është rritur me fëmijët e mi, fëmijët më të bukur në botë i quaj unë fëmijët e qendrës tonë, është rritur me ta.”

“Dua të ndaj me ju një histori shumë të bukur. Im bir ka në klasë një nga fëmijët e mi dhe askush nuk pranonte të ulej me vajzën në bankë, sepse kishte problemet e veta, u hante gomat, i shponte me lapsa sic bëjnë fëmijët. E im bir është ulur me vajzën në bankë që ne i themi “petulla” dhe ka ndenjur për 3 vjet në të njëjtën bankë.”

Besjana Llakaj bën maksimumin t’i socializojë dhe ti afrojë fëmijët e tjerë të qendrës me miq të rinj.

“Ne kemi një projekt shumë interesant “Banka e kohës sociale’, ku antarë të komuniteteve të ndryshme, nxënës shkollash, nëpunës civilë mund të vijnë këtu dhe të shpenzojnë qoftë dhe gjysmë ore. Nuk duam shpenzime monetare, duam thjesht kohë dhe vëmendje dhe duam sa më shumë miq për fëmijët tanë.”

Këta fëmijë specialë me materiale të riciklueshme kanë  bërë punime të artistike.

“Një tjetër projekt është që me lëndë të ricikueshme ne bëjmë punime të ndryshme që i nxjerrim në një ekspozitë për ditën kombëtarë të sensibilizimit ndaj autizmit. Përpiqemi ti shesim dhe me të ardhurat marrim përsëri materiale që ti angazhojmë fëmijët.”

Tregon se ruan ende marrëdhënie dhe me fëmijë që janë larguar nga qendra. Gëzohet shumë kur mëson për arritjet e tyre.

 “Përgjithësisht kontaktet dhe marrëdhënie kam me të gjithë fëmijët që janë larguar, por do veçoja një djalë që është larguar familjarisht në Gjermani. Vitin e parë që u largua ishte emocion i jashtëzakonshëm kur më ka ardhur një buqetë me lule nga ata. Nuk ja u shpjegoj dot emocionin që ndjej unë sa herë që më vjen një video me një gjë të re që ai ka mësuar, sepse ka ecur jashtëzakonisht shumë. Edhe ai është një rast suksesi. Është emocion i jashtëzakonshëm dhe në ato momente kur them boll jam lodhur, nuk e përballoj dot më më vjen një video që më sjell impakt dhe them po ja vlen!”

Besjana dhe stafi i palodhur gjatë ditëve të festave të fundvitit organizuan aktivitete në qendër. Fëmijët pritën vitin e ri me këngë./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!