Ajo që ndodh në kishën e Apollonisë në Fier është rast i paprecedentë. Besimtarët që hyjnë në kishë për ritualet fetare tarifohen si të gjithë vizitorët e parkut të Apolonisë. Në kushte të tilla janë braktisur dhe meshat e së dielës.
Mesha e së dielës në një prej objekteve më të bukur dhe të dashur si kisha e “Shën Mërisë” në Apolloni, është kështu.
Nuk është fjala për braktisje të ritualeve nga besimtarët. Këtyre të fundit u kërkohet të paguajnë tarifë njësoj si turistëve që vizitojnë qytetin antik.
Ndalimi për të filmuar kishën pa leje nga ministria e kulturës, detyroi priftin Sokrat Lako t.u kujtojë nënpunësve të parkut lejen supreme, atë të perëndisë. Një përplasje mes autoritetit të qiellit dhe atij të tokës, step edhe rojet e sigurisë të cilëve u kërkohet të ndalnin ekipin e abc neës, me forcë
Tarifat nga njëra anë dhe ritualet fetare nga ana tjetër duket se nuk shkojnë bashkë. Në kushte të tilla ndezja e qirinjve dhe lutjet, trondisin, në vend që të falin qetësi shpirtërore.
Banorëve të Pojanit, fshatit që ndodhet vetëm 1 kilometër nga kisha u kërkohet dokument identifikimi për të hyrë në kishë pa pagesë dhe kjo vetëm në raste festash fetare. Një praktikë të cilën e konsiderojnë fyese çka i bën të braktisin kishën.
E ndërsa banorët dhe mediat e kanë të kufizuar hyrjen në kishë, drejtuesit e Parkut Arkeologjik hyjnë pa leje në mjediset më të shenjta të saj. Sakrilegj në sytë e klerikëve, përdhosje e objekteve fetare në sytë e ligjit.
Konflikti mes autoriteteve të parkut, kishës dhe banorëve të zonës ka filluar 6 muaj më parë kur për herë të parë tarifat për vizitorët e Parkut, përfshinë edhe frekuentuesit e kishës. Kjo e fundit sipas atë Sokratit është e të gjithëve shqiptarëve dhe të gjithë kanë të drejtë të luten aty
Tarifat për vizitat në Parkun Arkeologjik nisin nga 150 lekë për familjarë dhe shkojnë deri 400 lekë për individë. Hyrja për në kishë është falas por e ndodhur në territorin e parkut, tarifat aplikohen edhe aty.
Kisha e Shën Mërisë dhe Manastiri i Apollonisë janë ndërtuar 800 vjet më parë me materialet nga qyteti antik. Ato ndodhen brenda atij që sot është Parku Arkeologjik i Apollonisë. Në pronësi të shtetit por me të drejtë përdorimi nga Kisha Ortodokse Autokefale Shqiptare. Kisha është frekuentuar masivisht dhe pa ndërpreje prej shekujsh nga banorët e zonës deri 6 muaj më parë kur u vendosën tarifat për hyrjen në të.
Gazetare e ABC News, Fier: Valbona Davidhi
/abcnews.al