Bernardo Silva kërkon triumfin: Në futboll nuk fiton fanella, do të bëjmë maksimumin tonë

schedule16:32 - 8 Maj, 2023

schedule 16:32 - 8 Maj, 2023

Në prag të ndeshjes së nesërme ndaj Real Madrid, në “aktin e parë” të gjysmë-finaleve të UEFA Champions League, lojtarët e Manchester City duke të jenë të karikuar në maksimum, teksa kërkojnë të marrin “hak” ndaj asaj gjysmë-finaleje të vitit të shkuar, teksa këtë herë në “ndihmë” të tyre do të vijë dhe “përbindëshi” i sulmit, Erling Haaland, forcë kjo shumë e vyer për skuadrën e Pep Guardiolas.

Skuadra ka vetëm një objektiv, të sjellë në Mançester “veshëllapushen” e Evropës për herë të parë në historinë e “bluve” dhe kësaj here duket se lojtarët janë më të motivuar se kurrë e një gjë të tillë e konfirmon dhe “fantazisti” i “qytetarëve”, Bernardo Silva, i cili pa treguar mungesë respekti ndaj “galaktikëve” theksoi se ai dhe shokët e tij do të japin gjithçka për t’i eliminuar kampionët në fuqi.

“Do të tregoheshim budallenj nëse nuk do të respektonim Realin, por ne duam t’i eliminojmë. Ky është objektivi ynë i madh. Do të përpiqemi të luajmë ndryshe krahasuar me vitin e kaluar.

Për mua nuk ka rëndësi fakti që Reali ka eksperiencë në këtë kompeticion. Nuk fiton fanella në futboll, kjo dihet nga të gjithë. Ata fitojnë, sepse kanë kampionë si Modric, Benzema, Kroos dhe Vinicius”,- tha portugezi në prag të ndeshjes së nesërme. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!