Bërnabiç: Zgjedhjet e së dielës janë hipokrizi

schedule15:17 - 21 Prill, 2023

schedule 15:17 - 21 Prill, 2023

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, e quajti “hipokrizi” mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës. Duke paragjykuar pjesëmarrjen në zgjedhje, Bërnabiç tha se nuk e di si do t’i justifikojnë këto zgjedhje ndërkombëtarët.

Në një dalje për mediat gjatë ditës së sotme (e premte), ajo u shpreh se nuk mund të ketë zgjedhje legjitime me vetëm 2% të pjesëmarrjes në zgjedhje. Madje, ajo tha se mbajtja e zgjedhjeve është fundi i demokracisë në Kosovë.

Kryeministrja serbe bëri thirrje të gjithë serbëve që të qëndrojnë të qetë dhe të shpërfaqin “hipokrizinë e Prishtinës”, siç tha ajo, me organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Ajo tha le të festojë Albin Kurti dhe komuniteti ndërkombëtar “këtë festë të demokracisë”.

Bërnabiq tha se Kosova nuk dëshiron të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas saj, çdo përpjekje për ta formuar këtë mekanizëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk është asociacioni për të cilën kanë rënë dakord, pasi i njëjti duhet të ketë kompetenca ekzekutive.

Në fund, Bërnabiç u lëshua edhe në ofendime ndaj raportueses së Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon duke e quajtur “lobiste shqiptare”./Kosova Press

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!