Bërnabiç në BERZH: Iniciativa e mini-shengenit primare për Serbinë

schedule19:22 - 24 Shkurt, 2020

schedule 19:22 - 24 Shkurt, 2020

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, nga Samiti i Investimeve të Ballkanit Perëndimor në Londër është shprehur se rajoni ka mundësi të mëdha që duhet të shfrytëzohen më mirë. Në fjalën e saj në Samit, kryeministra e Serbisë është shprehur se projekte parësore për vendin e saj janë iniciativa mini-shengen dhe lidhja infrastrukturore në rajon.

Ndër të tjera mediat serbe raportojnë se Bërnabiç ka sqaruar se  i ashtuquajturi mini-shengen i referohet vendosjes së katër lirive në Ballkanin Perëndimor lëvizjen e mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.

Ajo theksoi se Serbia tashmë po punon për këtë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe shfaqi shpresë se edhe vendet e tjera do të bashkohen në iniciativë. Siç vlerësoi, kjo iniciativë kontribuon më së miri për ta paraqitur rajonin si një treg të vetëm dhe të përbashkët dhe një vend që ofron një të ardhme të ndryshme.

Kryeministrja serbe theksoi se iniciativa e dytë e rëndësishme është lidhja infrastrukturore, duke kujtuar se Korridori 10 është përfunduar vitin e kaluar, si dhe ka vazhduar ndërtimi i autostradës deri në Malin e Zi dhe se filloi autostrada në drejtim të Sarajevës.

“Ne planifikojmë deri në fund të vitit të fillojmë me ndërtimin e ” autostradës së paqes, Nish-Prishtinë-Tiranë-Durrës, e cila me shumë gjasa do të financohet nga BERZH”, tha Bërnabiç, e cila porositi se Prishtina duhet t’i heqë taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, sepse “ne duhet të mendojmë se si ta lehtësojmë tregtinë në rajon dhe të krijojmë kushte të favorshme për biznesin.”

Ajo theksoi se në nivelin politik ekzistojnë disa sfida që duhet të zgjidhen, të cilat, siç tha ajo, burojnë nga fakti se perspektiva evropiane mbeti pak e humbur pasi Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk e morën dritë jeshile për t’i filluar negociatat e pranimit në BE.

“Shpresoj se vendimi do të ndryshohet, sepse është i rëndësishëm jo vetëm për këto vende, por edhe për të gjithë rajonin,” tha Bërnabiç, duke u bërë thirrje investitorëve të drejtohen me iniciativa private, duke e pasur parasysh, siç vlerësoi, se të nevojshme janë më shumë partneritete publiko-private./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!