“Bernabeu” përjeton “Deja Vu”, Real Madrid dhe Chelsea ndeshen për aktin e parë të çerekfinaleve

schedule10:24 - 12 Prill, 2023

schedule 10:24 - 12 Prill, 2023

Nga Hergi Llupi

Sot në mbrëmje, në orën 21:00, në stadiumin “Santiago Bernabeu”, Real Madrid do të përballet me Chelsea, ndeshje e vlefshme për çerekfinalet e Champions League.

Carlo Ancelotti do të përballet kundër ish-klubit të tij dhe kundër një ekipi tjetër anglez në këtë kompeticion, pasi më parë eliminoi Liverpoolin me rezultatin e përgjithshëm 6-2, ndërsa nga ana tjetër Chelsea eliminoi Dortmundin 2-1.

Ancelotti, trajneri katër herë fitues i Champions League nuk tregoi shenja paniku kur Liverpooli vuri në epërsi madrilenët me rezultatin 2-0 në Anfield gjatë ndeshjes së parë të 1/16, por ndeshja atë natë përfundoi me rezultatin 5-2 në favor të Real Madrid. Edhe pse zërat e shumtë janë se Ancelotti do të largohet nga Real Madrid në fund të sezonit, tekniku italian ka treguar dhe pohuar se dëshiron të respektojë kontratën dhe të qëndrojë te “Los Blancos” deri në përfundim të saj. Tashmë, me një La Liga pothuajse të pamundur për ta fituar, pasi Barcelona ndodhet 15 pikë përpara, Ancelottit dhe Real Madrid nuk i ka mbetur gjë tjetër vetëm të tentojë trofeun e Champions League dhe të sigurojë trofeun e Kupës së Mbretit, në të cilin do të ndeshet ndaj Osasunës në finale.

Real Madrid vjen nga një humbje në kampionat gjatë fundjavës, ku Villarreal e ndëshkoi me rezultatin 2-3 në “Bernabeu”. Gjithsesi historia dhe faktet kanë treguar se Real Madrid është “Mbretëresha” e këtij turneu, ku ka treguar se ka aftësi të përmbysë rezultate, por edhe të fitojë këtë trofe.

Nga ana tjetër, Chelsea është me një tjetër trajner në stolin e tyre, ku pas shkarkimit të Potter, drejtimin provizor e mori Frank Lampard deri në fund të sezonit, dhe më pas klubi do të shohë për një tjetër trajner të madh. Gjithsesi, presioni mbi Lampard është i madh. Ndeshja e tij e parë debutuese për këtë rikthim të dytë, përfundoi me një humbje 1-0 ndaj Wolves në Premier League. Në fakt, pritej që kjo ndeshje të fitohej nga Chelsea dhe të ndërpriste rrugën e rezultateve negative, por ishte një gjë që nuk ndodhi. Sot, ai do të ketë një detyrë të vështirë për të përgatitur skuadrën e tij ndaj njuë ekipi që është “zot shtëpie” në Champions League, kundër Real Madrid.

Edhe pse Chelsea ka bërë shpenzime të frikshme gjatë dy merkatove të fundit, në atë të dimrit dhe të verës, blutë e Londrës nuk kanë mundur të grumbullojnë pikë maksimale apo rezultate pozitive. Një kuriozitet është se Chelsea në këtë sezon, do të regjistrojë herën e tretë radhazi në fazën e çerekfinaleve dhe asnjëherë nuk ka humbur kundër kampionëve në fuqi të këtij kompeticion në çdo sezon që ka marrë pjesë që nga periudha 2004-2005, kur u mposhtën nga Porto.

Në çerekfinalen e sezonit të shkuar, Chelsea dhe Real Madrid u përballën së bashku. Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 1-3 në favor të “Los Blancos”, ndërsa ndeshja e dytë me shifrat 2-3 për anglezët, por rezultati i përgjithshëm 5-4 nuk i mundësoi atyre biletën e gjysmëfinales. Këtë herë ata do të ndeshen përsëri bashkë dhe pavarësisht formës jo të mirë të Chelsea, mrekullitë mund të ndodhin.

Në një performancë të përgjithshme prej 6 ndeshjeve të fundit, Real Madrid ka arritur të marrë 4 fitore dhe 2 humbje, ndërsa Chelsea  2 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje.

Real Madrid do të jetë i kompletuar për mbrëmjen e sotme, pasi në infermieri ndodhet vetëm Mendy. Nga ana tjetër, Chelsea do të bëjë pa Armando Broja, Chukwuemeka dhe inaktivët si Aubameyang, Badiashile dhe Madueke.

Real Madrid pritet të luajë sot nga minuta e parë me Courtois në portë, ndërsa në mbrojtje me Carvajal, Militao, Rudiger dhe Alaba. Në mesfushë pritet vendosja e Modric, Camavinga dhe Kroos, ndërsa sulmie me treshen Valverde, Benzema dhe Vinicius Jr.

Nga ana tjetër, Lampard pritet të startojë me Kepa në portë, James, Fofana, Koulibaly dhe Chilwell në mbrojtje. Enzo Fernandez, Kovacic dhe rikthimi i Kante pritet në mesfushë, ndërsa sulmi me Sterling, Havertz dhe Joao Felix./ h.ll/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!