“Berishën e kanë braktisur shqiptarët”, Minxhozi për “Gërdecin”: Familjarët e viktimave të marrin një përgjigje nga drejtësia

schedule18:38 - 27 Dhjetor, 2023

schedule 18:38 - 27 Dhjetor, 2023

Këtë të mërkurë, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i riktheu vulën dhe Logon e PD-së Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, dhe urdhëroi Gjykatën e Apelit ta rishqyrtojë çështjen.

Në një lidhje me Skype për “Special Report”, analisti Skënder Minxhozi e ka konsideruar si një lojë mes gjykatave.

“Gjykatat kanë luajtur ping pong me stemën e Partisë Demokratike. Duhet të kishte një qartësi dhe kjo është një ndër arsyet që e ka futur Partinë Demokratike në një luftë dhe 8 janari e tregoi këtë. Prandaj gjykatat duhet të kenë një qartësi për të dyja palët”.

Më tej, Minxhozi deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë një figurë të turpshme, pasi është braktisur nga të gjithë shqiptarët dhe vuan nga mungesa e një mbështetje popullore.

“Problemi i sigurisë së Berishës është një problem logjistik për PD. Ai është një figurë politike që ka bërë klimën politike në këtë qytet. Është polikani më i vjetër i tranzicionit dhe ka bërë një figurë të turpshme.

Ai ka një problem kryekëput politik. Ju e patë sa pak njerëz ishin mbledhur rrotull Berishës te gjykata sot. Edhe ky është problemi i Berishës. Ai është mësuar që kjo turmë ta udhëheqë. Berishën sot nuk e kanë braktisur politikanët apo SHBA, por më së pari e kanë braktisur shqiptarët. Ai kthen kokën në rrugë sot dhe kupton që nuk ka asnjë.

Sot Berisha ndjehet i zhveshur dhe nuk ka asnjë nga ata që e mbështetën në fillimet e tij. Sot kemi një kryeministër që vuan nga mungesa e një mbështetje popullore”.

Sa i përket, çështjes së Gërdecit dhe dëshmisë në GJKKO të djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, Minxhozi u shpreh se tashmë fabula dihet dhe duhet të vendoset drejtësia, ku të marrin fajin ata që i takon.

“Më shumë sesa dëshmi të ish zyrtarëve apo dhe djalit të ish-kryeministrit në lidhje me çështje të tilla si Gërdeci apo 21 Janari, pra për ngjarje të vjetra që nuk kanë më fabula, dihet se çfarë ka ndodhur. Sfida këtu janë telefonatat, shkresat, që kanë mbetur pa u lexuar. Është momenti që këto ngjarje të vjetra, ku familjarët e viktimave po plaken, ku një pjesë kanë ikur nga kjo jetë pa e parë drejtësinë për vëllain, djalin ose motrën, është mirë të marrin një përgjigje. Drejtësia duhet të hedh vështrimin dhe një herë mbi këto ngjarje të vjetra, ku shtetit i vriteshin njerëzit në dyert e godinave dhe të nesërmen serverat e shtetit gdhiheshin të zbardhur.

Ky mendoj unë është një shans i madh që pas Gërdecit ndoshta dhe 21 Janarit të dalin të pafajshëm dhe të marrin fajin ata që i takon”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!