Kauza e opozitës ra. Prej muajit shkurt, PD me në krye Berishën ngritën tymnajën se procesi i integrimit europian për Shqipërinë ishte bllokuar. Por si lindi kjo propagandë e kreut të PD?
6 shkurt 2026
“Burime shumë serioze për diskutime e gjëra që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në Bashkimin Evropian, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij dhe në aparencë të Ballukut dhe AKSH-it”.
Ndërkohë që në Bruksel punohej, në Tiranë aludohej. Sali Berisha akuzonte se 9 vende, apo 1/3 e BE-së, kishin vendosur veton për raportin e ndërmjetëm IBAR pasi Shqipëria nuk plotësonte kushtet.
4 prill 2026
“Këtë ditë në Bruksel, në debatin që do të zhvillohej për IBAR-in me Shqipërinë, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin miratimin e vlerësimit të standardeve dhe shtetit ligjor në Shqipëri, por ato u bënë 9 vende që e kundërshtuan me shumë argumente dhe shumë çështje votimin e këtij raporti”.
Tymi i opozitës shtohej me takimet e Bardhit dhe Tabakut në Bruksel, të cilët përpiqeshin, me direktiva të doktorit, të tentonin bllokimin e IBAR-it.
Por kur IBAR u miratua, Berisha nisi dorëzimin. Fillimisht deklaroi se raporti është ndryshuar dhe Shqipëria ka marrë karton të kuq.
22 maj
“Unë mund të them se raporti i parë, i paraqitur më 2 shkurt dhe i rishqyrtuar shumë e shumë herë, i karakterizuar gjithashtu nga anulimi i konferencës ndërqeveritare, në pozicionet e përbashkëta që paraqet më 21 maj, ka pasqyruar me vërtetësi problematikat madhore të regjimit të Edi Ramës”.
Por të hënën, një ditë para uljes së Shqipërisë në konferencën ndërqeveritare në Bruksel pas miratimit të IBAR-it, doktori pranoi se raporti u miratua.
25 maj 2026
“Po! Natyrisht, ndokush mund të pyesë: po pse atëherë u vendos të kalojë? Po, ka një faktor gjeopolitik dhe ky rajon do t’i përkasë BE-së dhe ky është një vlerësim jashtëzakonisht i drejtë historik dhe me interes shumë të madh për kombet tona”.
E vërteta ishte se raporti IBAR nisi të shqyrtohej në muajin mars dhe në Bruksel u ndoq thjesht procedura teknike prej 3 muajsh, mbledhje pas mbledhjeje, për të formuluar dhe dakordësuar një raport të përbashkët në mënyrë që të kishte konsensus edhe nga 27 vendet anëtare të BE-së, pa ndonjë surprizë apo qejfmbetje në fund.
Megjithatë, tymi për bllokimin e integrimit i vlejti pak doktorit për të mbuluar sado pak rikonfirmimin në garën me veten, në referendumin e PD-së.
Tani ka vetëm një test: PD ka nënshkruar rezolutën për integrimin europian të Shqipërisë bashkë me PS-në, duke u zotuar të sillet normalisht në rrugë dhe parlament.
Në pritje të protestës së radhës, Berisha duhet të zgjedhë edhe flamurin me të cilin do të protestojë. Amerikani mban non-gratën, europiani kalon raportin IBAR, kurse gjermani nuk i pranon molotovët.


