Berisha shtyu Alibeajn nga foltorja e Kuvendit, Yuri Kim dënon incidentin: Të mos përsëritet e shkuara

schedule16:43 - 21 Prill, 2022

schedule 16:43 - 21 Prill, 2022

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka dënuar incidentin e ndodhur sot në Kuvend ku ish-kryeministri Sali Berisha ka shtyrë kreun e komanduar të PD Enkelejd Alibeaj teksa ky i fundit kishte marrë fjalën në Foltore. Përmes një reagimi në rrjete sociale Kim shkruan se ditët e rrahjes apo largimit të të tjerëve nga podiumet, shtrembërimit të së drejtës, dhe kërcënimit të atyre që me të drejtë thonë jo, janë skena të së kaluarës që nuk duhet të përsëriten.

“Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që s’duhet të përsëritet”, shkruan Kim.

Tonet e ashpra në mbledhjen e grupit të PD u zhvendosën në seancën plenare në një skenë të paprecedentë mes demokratëve. Ndërsa fjalën për të folur e kishte marrë Alibeaj, në Foltoren e Kuvendit ka shkuar edhe Berisha.

Lexo edhe: VIDEO/ Nuk u pa në TV, debatet që çuan në përplasjen Berisha-Alibeaj në Kuvend

Me pretendimin se kishte radhën për të folur ish-kryeministri ka spostuar duke e shtyrë me dorë Alibeajn. Ky i fundit  bëri përpjekje të tejkalonte skenën në të cilën u përfshi me Berishën. Ai qëndroi mënjanë duke mos iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë ish kryeministrit.

Kjo është hera e parë që përplasjet dhe ndarja e demokratëve reflektohet në parlament, teksa pritet kriza e brendshme në selinë blu vijon të thellohet pas proceseve të nisura në të gjithë degët e PD.

Si duket krizës së brendshme në Partinë Demokratike i është mbivendosur edhe diskutimi për zgjedhjen e Presidentit të Ri të Republikës. Enkelejd Alibeaj e sheh vendimmarrjen për të lënë bosh karriget e opozitës në këto negociata si një rrugë në të cilën PD nuk duhet të shkel sërish teksa Sali Berisha e sheh qëndrimin e kreut të grupit të demokratëve të imponuar nga Edi Rama dhe Taulant Balla. be.k/abcnews.al