Berisha rrezikon të përjashtohet nga PD me vendim gjykate, cilat janë pasojat e veprimit të sotëm të Apelit: Kush e drejton partinë dhe si u shkua deri këtu

schedule14:23 - 22 Prill, 2022

schedule 14:23 - 22 Prill, 2022

PD duket se po drejtohet me vendime gjykatash, ku thelb janë përplasjet sa i përket statuteve të partisë të miratuara gjatë kuvendeve të 11 dhjetorit nga mbështetësit e Berishës dhe 18 dhjetorit nga mbeshtësit e Bashës.

Sëfundmi, Gjykata e Apelit të Tiranës ka njoftuar marrjen në shqyrtim të ankesës së Enkelejd Alibeajt ndaj vendimit të mëparshëm që njihte Komisionin e Rithemelimit si drejtues të partisë si edhe përjashtimin e nënkryetarëve të PD-së dhe strukturave të tjera drejtuese.

Në ankesën dërguar gjykatës, Alibeaj kërkon prishjen e vendimit të marrë nga gjyqtari ose shqyrtimin me një tjetër trupë gjykuese.

Tashmë beteja do zhvillohet në gjykatën e Apelit, pas vendimit të gjyqtares Blerina Muça për të pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeajt. Në këtë mënyrë, Gjykata pranon si palë në proces, nënkryetarin e PD Enkelejd Alibeaj.

Si u shkua deri këtu?

Pas humbjes së zgjedhjeve të 25 prillit, PD organizoi Kuvendin Kombëtar më datë 17 korrik të vitit të shkuar duke rikonfirmuar Lulzim Bashën në krye të partisë si edhe strukturat e tjera drejtuese.

Në këtë Kuvend ishte i pranishëm edhe Sali Berisha. Pak javë pas këtij Kuvendi, Basha doli në një konferëncë për shtyp duke thënë se kishte marrë vendim personal për të shkarkuar Sali Berishën nga Grupi Parlamentar i PD-së pasi ishte shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Fill pas kësaj, Berisha nisi takimet nëpër rrethe, të cilat i quajti “Foltorja” duke akuzuar Bashën se ishte peng i Edi Ramës.

Në përfundim të takimeve, Berisha dhe mbështetësit e tij njoftuan Kuvendin e 11 Dhjetorit, ndërsa pak ditë para tij, PD zyrtare u kujtua se nuk e kishte regjistruar në gjykatë statutin e ri të partisë bashkë me ndryshimet e bëra. Me urgjencë PD dërgon statutin e ri në gjykatë, e cila e regjistron. Në këtë mënyrë, PD zyrtare ishte një hap para vendimeve që do të merreshin në 11 Dhjetor, raporton abcnews.al.

11 dhjetori

Si fillim, mbështetësit e Berishës ngritën një grup të quajtur Komisioni i Rithemelimit, i cili merrte përsipër drejtimin e partisë deri në bërjen e një referendumi për shkarkimin e kryetarit Lulzim Basha dhe zgjedhjen e një kryetari të ri.

Komisioni i Rithemelimit, i përbërë nga 28 persona, propozoi edhe disa vendime duke i përmbledhur në një statut, të cilin e çuan për ta regjistruar në gjykatë.

Pjesë e vendimeve ishte edhe shkarkimi i të gjithë strukturës drejtuese te PD-së përmes votës në Kuvendin Kombëtar.

Ankimimi

Një javë pas 11 dhjetorit, PD e drejtuar nga Lulzim Basha organizoi Kuvendin Kombëtar duke shkarkuar përgjithmonë Sali Berishën nga partia dhe dhënien e besimit ndaj Lulzim Bashës.

Menjëherë pas këtij Kuvendi, PD ankimoi në gjykatë statutin e mëparshëm, që ishte miratuar në 11 korrik duke kërkuar pasqyrimin edhe të këtyre ndryshimeve në të, ku vendimi më i rendësishëm ishte përjashtimi i Berishës nga partia.

Ngërçi

Aktualisht, drejtues të PD-së janë Komisioni i Rithemelimit sipas vendimit gjykatës, por situata mund të ndryshojë kryekëput nëse gjykata njeh ankimimin PD-së për statutin e 11 korrikut dhe të fusë aty vendimet e 18 dhjetorit, të cilat përjashtojnë  Berishën përfundimisht nga partia duke e rikthyer situatën në gjendjen aktuale. Me pranimin e shqyrtimit edhe të ankesës së Alibeajt kundër vendimit të gjykatës për të njohur statutin e 11 dhjetorit, atëhere hapet tërësisht loja për strukturat drejtuese të PD-së, përfshi edhe anëtarësinë e Sali Berishës në parti, raporton abcnews.al.

Zgjedhjet lokale dhe dorëheqja e Bashës

Pas humbjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale, Lulzim Basha u përball me presion të brendshëm të deputetëve, të cilët kërkuan largimin e tij dhe ribashkimin e partisë. Basha kërkoi disa ditë kohë dhe vetëm pak ditë më parë deklaroi se bënte një hap pas duke i hapur rrugën proceseve të reja në PD.

Tani ka negociata për ribashkimin e partisë, ku deputetë në krahut të Bashës dhe Berishës janë duke negociuar për gjetjen e një formule, ndërkohë që ky i fundit është shprehur se nuk ka nevojë për negociata mes demokratësh duke kërkuar organizimin e një mbledhjeje të madhe ku të merrnin pjesë të gjithë, ku do të diskutohej mbi veprimet e mëtejshme në PD.

Vendimi i sotëm

Me vendimin e sotëm, duke pranuar shqyrtimin e ankesës së Alibeajt ndaj regjistrimit të ndryshimeve në statutin e PD-së të dalë prej Kuvendit të 11 dhjetorit, gjykata ka në dorë të kthejë tërësisht përmbys situatën në këtë parti. Kjo, pasi në këtë Kuvend u vendos që të shkarkohen strukturat drejtuese te PD-së, ndërsa gjyqtari Agron Zhukri, me regjistrimin e ndryshimeve në statut njohu Komisionin e Rithemelimit si organin drejtues të Partisë Demokratike. Nëse Apeli kthen mbrapsht këtë vendim, atëherë stukturat drejtuese të PD-së gjatë drejtimit të saj nga Basha mbeten në këmbë dhe rrëzohet Komisioni i Rithemelimit.

Çfarë ndodh me Berishën?

Krahas kësaj ankese, në Apel është edhe një ankesë paralele nga PD. Ajo parashikon përfshirjen në statutin e PD-së edhe të vendimit “për të përjashtuar nga partia çdokënd që është shpallur non grata nga amerikanët”. Ky nen në ndryshimet statutore të 18 dhjetorit godet direkt Sali Berishën.

Tashmë, drejtimi i PD-së është në duart e gjykatave, pasi nëse pranohet regjistrimi i statutit në Kuvendin e 18 dhjetorit të organizuar nga Basha, atëherë Berisha është i përjashtuar nga partia, ndërsa pritet më pas vendimi për çështjen e sotme, ku është ende në lojë fakti nëse si drejtues të partisë do të njihet Komisioni i Rithemelimit apo ato të mëparshmet. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!