Mazhoranca socialiste miratoi e vetme paktin e dakordësuar me Partinë Demokratike për të zgjatur afatin e vlefshmërisë së kartave të identitetit dhe pasaportave për 523 mijë shqiptarë jashtë shtetit deri më 31 maj.
Ndryshe nga çfarë ishte rënë dakord, Berisha i kundërshtoi aktet normative, duke i rrezikuar gjysmë milioni shqiptarëve jashtë shtetit mundësinë e votimit më 11 maj. Ai u rikthye tek avazi i vjetër, duke shtuar kushte të vjetra.
“Aktet që paraqitet këtu janë gjysmake dhe hipokrite. Nëse bëhet fjalë që 800 mijë shqiptarëve (Balla e kontestoi më pas) i kanë të skaduara dokumentet dhe mundësojmë aktin që u lë vetëm 5 ditë afat, ky është akt qesharak që damkos këtë mazhorancë me një damkë tjetër të zezë dhe të merituar. Të paktën të shtyjmë edhe 10 ditë, ta bëjmë 15 ditë mundësinë e tyre edhe për ata që janë brenda. Ju po bëni këtu një akt që diskriminon shqiptarët. Nëse e zgjasni afatin për ata jashtë, duhet ta bëni edhe për shqiptarët brenda.”
Por, pasi edhe nënkryetari i tij, Bylykbashi shpalosi të njëjtat kërkesat, Gjiknuri u kujtoi se disa muaj më parë ishin vetë ata të cilët kishin rënë dakord, ndërsa u shpjegoi sërish pse kërkesat e reja të tyre, janë njëra e pamundur e tjetra pa logjikë.
“ E pamundur kjo që kërkoni për emigrantët me dokumente të huaja. Pastaj, dakord për emigrantët, të cilët s’kanë mundësi të rinovojnë se janë larg, po ata brenda e kanë të thjeshtë. Pa radhë, punë e thjeshtë.”
Aktet normative kaluan me shumicë të thjeshtë votash, falë mazhorancës socialiste. Por, Berisha, i cili kësaj radhe doli nga marrëveshja, e arriti një fitore. Bëri të mendojnë si ai jo vetëm aleatët, por edhe mbetjet e PD, grupet Alibeaj e Basha, të cilët bojkotuan po ashtu votimin. I vetmi që doli jashtë radhe ishte Bujar Leskaj, i cili ngriti kartonin jeshil.

