“Berisha po mban peng PD-në”, Llabani: Janë formuar fraksione dhe blloqe influence kundër tij brenda partisë

schedule22:52 - 30 Qershor, 2025

schedule 22:52 - 30 Qershor, 2025

Në emisionin “360 Gradë” në ABC News, gazetarja Anduena Llabani hodhi dritë mbi përçarjen e thellë brenda Partisë Demokratike, duke e cilësuar Sali Berishën si figurën kryesore që po përpiqet të ruajë kontrollin mbi partinë, pavarësisht statusit të tij si “non grata” dhe përballjes me drejtësinë.

Sipas Llabanit, brenda PD-së janë krijuar disa fraksione: grupet pro-Berishës, fraksionet kundër tij që kërkojnë reformim të brendshëm, si dhe grupet pragmatike që synojnë largimin e tij pa dëmtuar më tej strukturën e partisë.

Ajo vuri në dukje se disa nga këto blloqe mbështeten nga lobime ndërkombëtare, përfshirë ato nga SHBA dhe vendet perëndimore.

“Atë që njerëzit nuk kanë arritur akoma që të kuptojnë është se kush janë këto grupime, ose kush janë aktorët kryesorë. I pari është Berisha, i cili edhe pse është ‘non grata’ edhe pse është në një proces gjyqësor kërkon me doemos që të mbajë kontrollin e PD. Ka baza të forta brenda PD, sidomos në strukturat e vjetra.

Mendon se mbajtja e lidershipit do e ruajë PD-në me shpresën se në zgjedhjet e ardhshme do të jetë forcë e parë ose e dytë. Kemi edhe fraksionet ant-Berishë, për të cilat është folur sidomos kur PD humbi rezultatet. Janë njerëz zyrtarë, janë figura të reja, por edhe të vjetra. Mendoj se këta ish-pjesëtarë, ish-zyrtarë, dhe këta njerëz të rinj dhe të vjetër që kanë qenë brenda PD dhe në krah të Berishës mendojnë se nuk mund të rikuperohet më dhe të vijnë me Berishën në krye.

Por kërkojnë që të krijojnë blloqe influence, duke marrë parasysh edhe me lobingje që vijnë nga Perëndimi dhe nga Amerika. Kemi dhe grupet pragmatike, që janë ata personazhe që nuk janë as pro dhe as kundër Berishës, por që në fund të ditës, kërkojnë që Berisha të largohet, por pa sjellë një rezultat shkatërrimtar për PD-në”, tha gazetarja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!