Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka akuzuar sërish qeverinë për grabitje të qytetarëve, ndërsa denoncoi aferën e inceneratorëve. Berisha tha se Klodian Zoto ka paguar me kartën e tij të kreditit të paktën 5 herë udhëtimet në hotele me 5 yje të Ahmetajt në Europë.
“Zoto është peshku i vogël, Rama peshku i madh”, kështu u shpreh Berisha gjatë konferencës me gazetarët sot.
“Dokumentet e publikuara në kuadër të luftës së brendshme, kanë qenë në dosje dhe nuk janë marrë parasysh, tregon se ky është SPAK-u i partisë, i kontrolluar çdo ditë nga Edi Rama. Askush nuk duhet të harrojë se mijëra euro në hotelet luksoze janë një pikë në oqean para milionave të vjedhura ku lundrojnë Rama dhe ministrat e tij. Zoto është peshku i vogël, peshku i madh, Edi Rama, fluturon me çarter me dhomë gjumi luksoze. Prandaj edhe dy ditë, përpara 8 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të Korrupsionit, Shqipëria ngjitet në majë të shkallares së turpit për sa i përket vjedhjes dhe kapjes së shtetit. Të gjitha këto janë apel për çdo qytetar shqiptar, të ngrihet me guxim për të rrëzuar këtë qeveri që vjedh dhe vetëm vjedh,” tha Berisha. /abcnews.al/


