Ish-kryeministri Sali Berisha e ka përsëritur disa herë që mandatin e deputetit ia kanë dhënë qytetarët dhe se më 10 shtator do të jetë prezent në Parlament. Por si duhet të veprojë kreu i Partisë Demokratike përballë qëndrimit të mbajtur qartë nga SHBA rreth prezencës së Berishës në PD?
Fatbardh Kadilli, në një bisedë me Juli Xhokaxhi në “Abc Live”, duke komentuar qëndrimet e SHBA-ve thotë se ai ishte një vendim politik nga DASH dhe duhej të kishte një përgjigje politike nga Berisha ose vetë PD.
“PD nuk mund të futet në izolim nga SHBA, qoftë edhe për një lider historik. Opozita është aktualisht e çalë, demokratët janë të ndjeshëm ndaj raporteve me SHBA. Kali ynë i betejës është lufta ndaj krimit dhe korrupsionit.”
Sipas Kadillit, lideri i demokratëve prej vitesh ka qenë i pazoti për të propozuar një opozitë të re ndërsa shton se Lulzim Basha nuk ka pasur ndonjë herë ndonjë strategji dhe “ishte i papërgatitur që do t’i humbte zgjedhjet.”
Kadailli, i cili garoi për kreun e PD, thotë se ai do të vijojë të bëjë opozitë dhe të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe demokratët e tjerë, pa pritur që të marrin udhëzime.
“Mendoj që secili nga ne në opozitë duhet të japë kontributin e vet. Unë do bëj opzotë në mënyrën timë. Do propozoj idetë e mia. Unë kundërshtar kam Edi Ramën. Nuk shoh kë kam anash…Nuk luftohet korrupsioni me postime në rrjetet sociale.”
Nga ana tjetër, Klevis Balliu duke komentuar ekipin e ri të PD, u shpreh se emërimet në kryesi nuk reflektojnë çështjen e meritokracisë.
Ai sugjeron që opozita të nxjerrë njerëzit në shesh për protesta të mirëorganizuara.
“Emërimet në kryesi…. Nuk e reflektojnë aspak çështjen e meritokracisë. Janë njerëz të shquar, por çdo parti, kur anëtarët sakrifikojnë duhet ti çosh aty ku duhet. E dyta, aksioni opozitar nuk mund të jetë i njëjti me dje. Nuk jemi shtet normal se nuk funksionin ligji.” /abcnews.al/