“Berisha nuk ka një platformë të qartë”, Kadilli: PD e përçarë, Kuvendi do të jetë traumatik

schedule23:41 - 25 Tetor, 2021

schedule 23:41 - 25 Tetor, 2021

Foltorja u nis si një aksion i Sali Berishës dhe rrugës ai më pas nisi të huazojë tema. Kështu është shprehur kandidati për kryetar të Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli në “Log” me Endri Xhafon.

Ndërsa tha se lideri historik i demokratëve ka huazuar tema nga Manifesti i tij politik Kadilli shtoi se Berisha nuk ka një platformë të qartë politike.

“Berisha vazhdon për të krijuar audiencën e vet të fuqishëm, angazhohet por nuk ka një platformë të qartë. Mbledhja e firmave është gjëja më e turbullt që ekziston, por demokratët e dinë që bëhet për të rrëzuar Bashën.”

Sipas Kadillit, Foltorja e Berishës është diçka e papjekur që po ndryshon në rrugë e sipër.

“Para katër muajsh kishim zgjedhje, mund t’i kishim treguar vendin liderit të thyer. Jemi detyruar t’u kthehemi kufizimeve statutore. Kufizimi numër një duhet të jetë, po ke humbur nuk duhet të jesh më.”

Nga ana tjetër, ish-kandidatja për kryetare të PD, Edith Harxhi u shpreh e bindur se “Foltoret” e Sali Berishës i kanë rigjallëruar shpirtin demokratëve.

“Më ngjasojnë me entuziazmin e viteve ‘90. Demokratët ishin në përgjumje.”

Zonja Harxhi tha gjithashtu se mbështet tezat konservatore që po hidhen sot nga Berisha në takimet nëpër qytete.

Por a po rrezikon PD që të copëzohet, në kuptimin e plotë të fjalës? Për Edhith Harxhin kjo nuk do të ndodhë pasi sipas saj, ky është një proces përbashkues dhe e vetmja mënyrë për ta bërë bashkë PD-në.

“Nuk mendoj se do shkojë në përballje ligjore, shumica gjithmonë fiton.”

Kurse për Fatbardh Kadillin, PD është aktualisht e përçarë dhe kjo përballje do të shkaktojë më shumë dëm, sesa mund të sjellë diçka të mirë.

“Nuk besoj se Berisha mund të jetë duke menduar të krijojë parti tjetër. Për të mbajtur vulën do bëjë çdo lloj aventure. Besoj që do t’i krijojë dëm partisë. Kuvendi do të jetë traumatik.” /abcnews.al/