Berisha “Non Grata”, Escobar fton Bashën në SHBA: E presim sa më shpejt

schedule12:58 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 12:58 - 9 Dhjetor, 2021

Një ftesë zyrtare për në SHBA, kreut të PD Lulzim Basha i erdhi sot nga Amerika në selinë e PD përmes Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar.

Në përfundim të takimit që zgjati një orë në selinë e PD Escobar u shpreh se e presin Bashën sa më parë në Washington, duke i dhënë përmes kësaj ftese një mbështetje të madhe liderit demokrat në këtë “betejë” me ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “Non Grata” nga DASH. Zyrtari i lartë tha se opozita ka shprehur angazhim ndaj NATO-s, integrimit në BE dhe luftës ndaj korrupsionit, duke e lidhur këtë me vendimin e Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar i PD. Escobar shprehu kënaqësinë për vizitën e tij të parë në Tiranë si dhe për takimin me opozitën, ndërsa deklaroi se do të ketë edhe takime të tjera në vijim.

“Jam i kënaqur që jam në Tiranë, është vizita ime e parë dhe mora një pritje të ngrohtë. Isha i lumtur që pa ta mundësinë të takoj opozitën. Ata kanë shprehur angazimin e tyre ndaj natos dhe integrimit europian si dhe ndaj luftës kundër korrupsionit. Jemi të kënaqur që jemi pjesë e saj përfshirë dhe përpjekjet tona kundër korrupsionit dhe sanksionet.  Për ta kthyer në realitet këtë do kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare dhe pres me kënaqësi  të zhvilloj bisedime të tjera këtë pasdite. Pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD, pres ta takoj Bashën në Washington sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Escobar.

Këtë ftesë Basha tha se ka pritur me kënaqësi dhe se po e planifikon vizitën në Uashington.

“Është një ftesë e përsëritur, e mirëpres me kënaqësi e padiskutim po planifikoj një vizitë në Uashington që të shtojmë para objektivat jo thesht të PD por atë që është sot axhenda e cdo familje shqiptare, daljen nga gjendja pezullie, dëshpërimi, plogështie që ka shkaktuar 25 prilli dhe ecjen e Shqipërië përpara me reforma politike, me zgjedhje të lira e të ndershme e me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë”.

Në këtë takim, Escobar shoqërohej nga ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Kjo është vizita e parë e tij në Shqipëri. Ambasada amerikane në Tiranë njoftoi disa ditë më parë se qëllimi i vizitës është për të thelluar miqësinë e ngushtë mes dy vendeve, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike. Vizita e zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit dhe ftesa për Bashën, vjen 2 ditë para Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit, të organizuar nga Berisha, siç ka shprehur ky i fundit për të rrëzuar Bashën. be.k/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!