“Opozita dështoi në çdo nisëm që nga viti 2013”, Berisha nga Durrësi: Cili ishte gabimi im në 8 vite

schedule18:47 - 29 Shtator, 2021

schedule 18:47 - 29 Shtator, 2021

Sali Berisha ndodhet mbrëmjen e së mërkurës në Durrës ku mbahet “Foltorja” e radhës, si pjesë e iniciativës së liderit historik të demokratëve për t’i kthyer sovranitetin Partisë Demokratike.

Qindra qytetarë janë mbledhur para pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” në qytetin bregdetar ku ish-kryeministri është pritur me brohoritje. Në fillim të fjalës së tij, Berisha listoi një sërë arsyesh se përse qeverisja e Edi Ramës, sipas tij e ka lënë vendin për tetë vite në vend numëro.

“Ky angazhimi juaj është mesazhi i shpresës që rrezaton në mbarë Durrësin, dhe shqiptarët kudo që ndodhen, të gjendur në një situatë ndër më të vështirat. Në një qeverisje që në 8 varfëroi shqiptarët në mënyrë të pandalshme.”

Sali Berisha u shpreh se në tetë vite u burgosën më shumë shqiptarë se në gjithë rajonin. 38 mijë shqiptarë u burgosën për çështje civile, shton ish-kreu i PD ndërsa shton se qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama është duke ndëshkuar Shqipërinë edhe në rrugën drejt integrimit evropian.

Sipas ish-kryeministrit, opozita në këto vite nuk arriti asnjëherë të organizonte aksionet dhe veprimet për t’i dalë përballë qeverisjes së Ramës.

“Dështoi në çdo nismë të marrë nga viti 2013 deri më sot. Dështoi, dhe për këtë dështim, përgjegjësia absolute i përket atij që ishte në timon e PD. Unë kam pjesën time të pamohueshme të fajit. Dhe unë jam këtu për t’u kërkuar ndjesë. Për të shpjeguar ku ishte gabimi im, dhashë dorëheqjen…”

Duke u kthyer tek lideri aktual i demokratëve, Berisha tha se gabimi i tij në këtë mes është që qëndroi i heshtur ndaj problemeve që ekzistonin në PD.

“I kërkova Bashës të japë dorëheqje pas zgjedhjeve të 2017, humbje të tillë nuk kishim njohur kurrë, as në ’97. Nuk nisa procesin e duhur që ai të merrte përgjegjësi për humbjen e tmerrshme në 2017. Unë çdo gjë i thoja, por nuk e beja se nuk kisha ndërmend të kthehesha më. Isha i vendosur të qëndroja njëri prej jush. E kisha konceptuar si dorëheqje pa kthim. Nuk futesha dot në çështje të brendshme pa projekt.” 

Në këtë takim të radhës, Berisha u prit në Durrës nga figura të rëndësishme të PD-së, emra si Edi Paloka, Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Flamur Noka. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!