“Berisha nga figurë tragjike në komike”, Çupi: Është pa pushtet dhe në prag të burgut

schedule10:34 - 25 Qershor, 2025

schedule 10:34 - 25 Qershor, 2025

Analisti Frrok Çupi gjatë një interviste në “Ora e Fundit” në ABC News dha një analizë mbi gjendjen aktuale të liderit historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, si dhe mbi vetë partinë.

Sipas Çupit, Berisha ka kaluar nga një figurë e frikshme dhe autoritare në politikën shqiptare, në një personazh që sot ngjall më shumë keqardhje apo të qeshura sesa frikë apo respekt. Ai e cilëson këtë transformim si pasojë të veprimeve dhe trashëgimisë politike të Berishës, duke theksuar se aktualisht ai është një figurë pa pushtet, në prag të burgut dhe moralisht i rrënuar.

Çupi shprehet se jemi në një pikë ku Berisha nuk përfaqëson më Partinë Demokratike, dhe as partia nuk është më përfaqësuese e tij. Megjithatë, kjo ndarje, sipas tij, nuk sjell domosdoshmërisht një rilindje apo shpresë të re për PD-në, pasi mungesa e ideve dhe vlerave demokratike brenda saj e ka bërë partinë të humbasë funksionin si forcë opozitare.

Ai shkon edhe më tej, duke e krahasuar PD-në aktuale me një parti “muxhahedine”, që, sipas tij, është e dëmshme jo vetëm për vetveten por edhe për sistemin politik në tërësi.

“Berisha nga ai njeriu i dhunshëm i Shqipërisë, është kthyer në një figurë qesharake, saqë edhe ata që  nuk kanë afërsi me të ndjejnë keqardhje kur e shikojnë. Për mendimin tim kjo është një rrjedhojë e asaj që ka kryer në jetën e tij. Është një figurë tragjike dhe me efekte tragjike, kurse tani është kthyer në një figurë komike sepse është pa pushtet dhe në prag të burgut.

Është i rrënuar moralisht, nëse ka moral. Ndoshta jam i pari që po e them, por ka ardhur një moment, ku PD nuk është më Berishë dhe Berisha nuk është PD. Kjo nuk do të thotë që ka ardhur një moment i mirë për atë parti, por kjo do të thotë se si Berisha si PD janë njësoj dhe nuk ka shpëtim, sepse po të kishte filiza të tjerë demokratike, lirie, mençurie padyshim që do të ishte një shpresë dhe një luftë brendapërbrenda. Ne mund ta krahasojmë PD-në  me një parti muxhahedine, sepse janë të dëmshëm për veten dhe për rolin politike”, tha analisti Frrok Çupi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!