Zhvillimet politike në vend janë komentuar në “Tirana Live” në ABC News. I ftuar, për të folur për këto zhvillime ishte ish-deputeti i PD, Dashnor Sula, i cili u shpreh me kritika ndaj qëndrimeve dhe sjelljeve të opozitës në seancat në Kuvend.
I ndalur tek paralajmërimet e Berishës për protesta, Sula theksoi se ish-kryeministrin vazhdon në rrugën e tij në “luftë ma kauzat imagjinare”.
“Berisha e nisi duke thënë se nuk do të vepronte si kryetari Basha, por doli që ishin të gjitha mashtrime të pastra. Berisha është mjeshtër i mohimeve, duke mos i bërë fare përshtypje për deklaratat e tij. Atij i intereson perspektiva për veten e tij se si do të qëndrojë në PD. Po të donte të fitonte, duhet të zgjidhte ekipin më të mirë, por nuk e bën një gjë të tillë”, tha ai.
Gjatë intervistës, Sula nënvizoi se mazharonca rrëzohet vetëm me votë, ndërsa u shpreh kritik ndaj kreut të PD Sali Berisha, duke thënë se qëllimi i tij është vetëm personal dhe jo të kthejë PD në pushtet, duke e cilësuar ish-kryeministrin si një pushtues të PD.
Ish-deputeti i PD, u ndal edhe tek gara për Tiranën, duke thënë se ato që mund të jenë figura serioze për një garë të denjë nuk e marrin mundimin të bëhen pjesë e lojës së Berishës.
“Albana Vokshi mendoj që e fiton këtë garë përballë Ogerta Manastirliun”, u shpreh duke ironizuar ish-deputeti Sula. Më tej theksoi se shpreson që Berisha të mos arrijë ta bëjë një “lajthitje të tillë”.
I pyetur nëse do të kandidonte si Avokat i Popullit, Sula tha se është njeri i hapur dhe se në rast se nuk do të vazhdojë kontributin e tij në politikë, mund t’i kthehet edhe drejtësisë.
“Unë kam dëshirë të vazhdoj të kontribuoj në politikë, nëse nuk do jetë kjo mundësi për shkak të rrethanave të caktuar, them që jam i hapur. Rëndësi ka integriteti që ka një drejtues institucioni dhe mua kjo nuk më ka munguar. Pra nuk jam njeri i “vathit”, ligji është ligj”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/

