Berisha në dy kohë dhe fraksionet në PD

schedule14:29 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 14:29 - 11 Dhjetor, 2021

Nga Luljeta Progni

Rregullorja e brendshme e Partisë Demokratike në vitin 1991, kur kishin nisur debatet në radhët e  drejtuesve të partisë së sapothemeluar, dhe qëndrimi për mendimin ndryshe në parti

U desh të kalonin 31 vite që Sali Berisha të besonte se fraksionet i shërbejnë demokracisë së brendshme të Partisë Demokratike. Një ndër pikat e propozuara nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, për ndryshimet statutore në kuvendin kombëtar të thirrur nga pala e Berishës, ishte edhe sanksionimi i fraksioneve në PD.

Por, çfarë mendonte Berisha dhe bashkëkohësit e tij për fraksionet, në vitin 1991, kur po mblidhej i pari kuvend kombëtar i PD-së…

Një material konfidencial, që u quajt rregullore e brendshme e PD-së,  lidhej me qëndrimet e drejtuesve të kësaj partie, sa i përket riorganizimit të saj. Në këtë material, konfidenciale ishte pikërisht shmagia e publikimit të debateve brenda partisë.

Madje, siç citohej, grindjet brenda radhëve duhet të shmangeshin, domosdoshmërisht! Kështu, Partia Demokratike, ende pa u strukturuar mirë si parti, u shfaq kundër fraksioneve. Detajet e këtij organizimi, për secilën pikë, jepen të plota në materialin që vijon:

Material i brëndshëm i PD, prill 1991.

Rreth grindjeve në sferat drejtuese të partisë

Në popull flitet shumë për grindje dhe prishje qejfi midis drejtuesve qëndror e lokal, ose, midis atyre qëndror me ata lokal. Pjesa më e madhe, ndër ato që thuhen, dihet se, janë thashetheme të hartuara dhe të shpërndara nga “zyra e posaçme” e shpifjeve të forcave të vjetra.

Por, nuk mund të mos bjerë në sy edhe një e vërtetë e pamohueshme se, aktivistë me rëndësi, apo deputetë të PD, i bëjnë pronë të opinionit publik, vërejtejet negative që kanë ndaj njëri-tjetrit, gjë që në kushtet e mentalitetit tonë prapanik, përhapet me qejf në trajtë thashethemesh, duke i bërë një dëm të madh prestigjit të partisë.

Është e domosdoshme që ky problem të diskutohet me aktivistët kryesorë të partisë dhe të deputetëve, si dhe të kërkohet që për hir të prestigjit të Partisë Demokratike dhe më gjerë, për hir të fitores së demokracisë, grindjet e vogla dhe qejfprishjet në gjirin e partisë, të mos dalin në asnjë rrethanë jashtë saj.

E mira është që, njerëzit e rëndësishëm të partisë të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u shkëputur nga edukata primitive e interesave meskine, apo e sedrës aspak evropiane të hatërmbetjevs për hiç gjë. Mentaliteti modern i njeriut shpirtgjerë, që hap rrugë, që pret me gjakftohtësi vërejtjet (edhe kur ato janë pa vend), duhet të zërë vend para së gjithash në shpirtin dhe zemrën e aktivistëve të rëndësishëm të partisë, e veçanërisht tek drejtuesit e saj.

Rreth fraksioneve në parti

Në rrethanat aktuale është i domosdoshëm uniteti për partinë.  Kur ka diferenca pikpamjesh, për çështje të vogla të cilat mund t’i lihen të ardhmes, debati për këto gjëra është mirë të pezullohet, për të mos u bërë mollë sherri.

Kur divergjencat lidhen me çështje esenciale, është e domosdoshme që asnjëra nga palët të mos jetë kategorike, a të pretendojë për monopolin e të vërtetës. Debatin duhet ta udhëheqë porosia e një filozofi që thotë se “në një debat tolerant, secili nga bashkëbiseduesit, duhet të niset nga mendimi se e vërteta mund të jetë sa nga ana e vet, aq edhe nga ana e kundërshtarëve”.

Debati nga këto pozita nuk çon kurrë në grindje. Kur pozitat nuk afrohen, pranohet kompromisi, ose pozicionet ruhen për diskutime të mëvonshme, pa çuar në grindje.  Pozicionet e  ndryshme për çështje jo themelore, kur nuk shoqërohen me sulme, por mbrohen me argumente të qeta, nuk e dëmtojnë partinë.