Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe një nga emrat e përfolur si kandidat i mundshëm i Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore në kryeqytet, ka sqaruar pozicionin e tij në lidhje me këtë çështje. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Alimehmeti tha se nuk ka refuzuar zyrtarisht kandidimin, por theksoi se karakteristikat e tij janë më të përshtatshme për një garë tjetër, me rregulla të qarta dhe të ndershme.
Ai zbuloi se i është bërë kërkesë nga Sali Berisha për të marrë pjesë në garë, por nënvizoi se vizioni i tij është afatgjatë dhe kërkon reforma më të thella në PD, duke lënë të hapur mundësinë për kontribut në forma të tjera.
“Jo se kam refuzuar po karakteristikat time janë për një lloj tjetër gare, me rregulla. Këshilli Bashkiak po të doje e sjell Bashkinë e Tiranës vërdallë, dhe unë jam në Këshilli Bashkiak ka dy vite dhe nuk është bërë asnjë. Këshillin Bashkiak e vendosën në funksion të vjedhjeve. Më është bërë kërkesë nga zoti Berisha për të kandiduar. Nuk ka ndonjë sekret kjo pjese, se ne komunikojmë në mënyrë të vazhdueshme. Por pjesa që unë kërkoj ka karakteristika të tjera. Unë mund të jap një kontribut më të mirë. Unë shikoj 2029, partia duhet të jetë në marshe të tjera. Unë jam në një vizion komplet tjetër, kam paraqitur programin tim. Ilir si punëtori i kësaj fushe mund të kontribuoj në fushat e mia, kurse tani është hendek shumë i ngushtë”, tha Alimehmeti./abcnews.al

