Seanca gjyqësore për ish kryeministrin Sali Berisha, në Gjykatën e Posaçme, në lidhje me akuzat ndaj tij për korrupsion pasiv, për privatizimin e ish kompleksit sportiv, “Partizani”, u shty për në orën 15:00 dhe pritet që të nisë nga momenti në moment.
Gazetari i ABC News, Ermal Vija raporton se dy avokatet kryesisht, të caktuara nga shteti, Jalldiz Kastrati dhe Rabije Cenalia, kanë mbërritur në ambientet e GJKKO, ku do të zhvillohet seanca.
Ato janë shprehur për ABC News, se u njohën me dosjen dhe se janë përgatitur për mbrojtjen e ish kryeministrit Sali Berisha në seancë.
“Sapo kanë mbërritur të dyja avokatet të cilët do të përfaqësojnë ish kryeministrin Berisha. Atyre iu la kohë nga gjyqtarja Irena Gjoka, pasi seanca e parë në orën 10:00 të ditës së sotme, u shty për në orën 15:00, për t’i lënë kohë avokateve për t’u njohur me aktet e dosjes. Ato kanë mbërritur dhe kanë hyrë në ambientet e brendshme të gjykatës, ku do të mbahet seanca për vlerësimin e dy masave të dhënë ndaj ish kryeministrit Berisha, detyrimin për t’u paraqitur dhe heqje të pasaportës. Ende nuk kemi një njoftim se çfarë ka ndodhur me kërkesën për përjashtim të gjyqtares Irena Gjoka, çka do të thotë që seanca e njoftuar në orën 15:00, do të vijojë në prezencë të avokatëve kryesisht që do të përfaqësojnë Berishën.
Të dyja avokatet, kemi pasur mundësi t’i kontaktojmë, edhe në momentet e para kur u larguan nga seanca, dhe kur hynë sërish në seancë, teksa janë shprehur se e kanë lexuar dosjen e prokurorisë, janë përgatitur për seancën për verifikimin e masës së sigurisë ndaj Berishës”, raportoi gazetari Vija.
Më herët, u raportua se Berisha kishte dërguar kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Në lidhje me këtë, pati edhe një njoftim nga Gjykata e Posaçme.
“Në datën 26.10.2023, ora 10.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.
– Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e thirrur për caktim kryesisht nga gjykata, av.Jalldiz Kastrati dhe av.Rabije Cenalia. Nga ana e gjykatës, iu la kohë mbrojtësve për tu njohur me aktet e procedimit penal të fazës së hetimit paraprak, të përcjella nga ana e Prokurorisë së Posaçme dhe për këtë arsye ndërpreu shqyrtimin gjyqësor, për të rifilluar diten e sotme, në orën 15.00”, thuhet në njoftimin e GJKKO./abcnews.al