Sali Berisha mbajti një konferencë për shtyp mesditën e sotme duke falenderuar vendet e BE-së si edhe Komisionin Europian për caktimin e datës së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë, e cila është hapi i parë për të hapur negociatat.
Berisha tha se PD në opozitë do të mbështesë çdo nismë që lehtëson integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që nesër, kur të jetë në pushtet, do të miratojë çdo akt, ligj apo vendim që avancon vendin në drejtim të BE-së.
Berisha tha se kur të vijnë në pushtet do të anulojnë amnistinë fiskale dhe emrat e personave që kanë përfituar nga amnistia fiskale do t’u jepen policive të shteteve të Bashkimit Europian.
“Në emër të PD-së, e cila ka qenë lokomotivë e proceseve të integrimit, shpreh mirënjohjen më të thellë për BE-në, për vendimin e tyre fisnik për hapjen e negociatave. Unë siguroj BE-në se PD-ja sot në opozitë, do të mbështesë, dhe nesër në pushtet do të marrë dhë miratojë çdo reformë të nevojshme për avancimin e procesit të integrimit të vendit në BE. Unë jam këtu për t’I kërkuar Edi Ramës publikisht që në përgjigje të këtij vendimi fisnik të KE-së të mos guxojë të provokojë partnerët tanë, por të deklarojë se heq dorë përfundimisht nga ligji i amnistisë fiskale, kundër të cilit është shprehur haptas, KE-ja, vendet anëtare të BE-së me karrige bosh në takimin e tij të fundit, janë shprehur kundër Dhomat e Tregtisë të Gjermanisë, Francës, Turqisë dhe Dhomat e Biznesit shqiptar.
Problemi më madh që vendet anëtare kanë me Shqipërinë është kriminaliteti. PD angazhohet se me të ardhur në pushtet ajo do të invalidojë amnistinë fiskale dhe kriminale të Ramës dhe do të vendosë para ligjit të gjithë personat që kanë përfituar nga kjo amnisti, duke u kërkuar origjinën e të ardhurave. Emrat e këtyre personave do tu jepen organeve të vendeve perëndimore që t’I përndjekin edhe atje nëse kanë veprimtari“, tha Berisha. /abcnews.al