Analisti Ergys Mërtiri në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, theksoi se për gjendjen e gjyqësorit në Shqipëri, fajtor është politika.
Ai u shpreh se politikanët kanë ‘sulmuar’ prokurorë e gjykatës, duke nënvizuar se kreu i PD Sali Berisha ka pasur një gjuhë më të ashpër ndaj drejtësisë.
Mërtiri nënvizoi se policia duhet të qëndrojë larg drejtësisë.
Gjatë kësaj interviste, analisti Mërtiri komentoi edhe kandidaturën e Florian Binajt, duke thënë se është i zgjedhur nga Berisha. Sipas tij, lëvizja e Berishës është një bojkot i fshehur.
“Florian Binajn e vlerësoj edhe për aktivitetin e tij si aktivist. Por besoj se askush nga kandidatët e PD nuk do të fitonte. Unë shpresoja se do të ishte një kandidat larg influencave politike. Mendoj që kandidatura e Ermal Hasimja ishte më e duhura. Qëndrimet e tij kanë qenë objektive dhe me kredibilitet. Por Berisha nuk e pranoi për shkak se nuk e kontrollon dot, jo se do të kontrollojë zotin Binaj, por duke qenë se nuk është politikan, nuk i krijon rrezikshmëri Berishës… Kreu i PD kërkon që të mos marrë kostot e kandidimit të kandidatit të vet dhe kjo lojë është një bojkot i pashfaqur. Pra Berisha nuk ka kurajë as të bojkotojë dhe as të marrë pjesë”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/



