Berisha imiton Trump/ “Do ketë vetëm dy gjini”, por në Shqipëri nuk ka gjini të tretë

schedule15:11 - 29 Janar, 2025

schedule 15:11 - 29 Janar, 2025

As dhjetë ditë në zyrën ovale, por Presidenti Trump ka frymëzuar aq shumë Sali Berishën, sa ai ka vendosur të mos lodhet, dhe ta kopjojë në mënyrë identike Presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Berisha shpalli prioritet kryesor të qeverisë së ardhshme të tij, një proces që e konsideroi DeSorozim të shoqërisë shqiptare, me dy ligje prioritare

Njohja e vetëm dy gjinive në Shqipëri dhe dënimin e të gjithë atyre që flasin për Prindi 1 dhe Prindi 2.

“Ne kemi përgatitur një ligj në kuadrin e desorosizimit që dorëzojmë sot, me të cilin sanksionojmë se Republika e Shqipërisë njeh dy gjini, ato që i ka bërë Zoti, mashkull dhe femër. Ligji tjetër me dënim ai që flet për Prindin 1 dhe Prindin 2. Do ketë sanksione.’’

Këtë vendim të rëndësishëm, Sali Berisha e bëri në mbledhjen e parë me grupin parlamentar demokrat dhe në sy të Gazment Bardhit, të cilin e kishte marrë nga fundi i tavolinës dhe e kishte ulur ne krahun e tij të djathtë.

Qëndrimi I Berishës është një reflektim I thellë nga e shkuara jo e largët. Në prill të vitit 2009 kryeministri demokrat u shfaq në zyrën e tij, me Kristi Pinderin, por në krahun e majtë, por kur premtonte krejtësisht të kundërtën: legalizimin e martesave gej. Edhe atëherë Berisha ishte para zgjedhjeve, por për shkak të sondazheve, tentonte të jepte imazhin e një politikani modern dhe të kohës. Edhe sot Sali Berisha përballet me sondazhet dhe përpiqet të jetë koherent. Jo me to, por me Donald trump, modeli përtej oqeanit sesi një politikan megjithëse në moshë të tretë, mund të rikthehet në pushtet, nëse është në një valë me votuesit e vet. Problemi është që doktori nuk është koherent as me ligjet e vendit. Shqipëria nuk ka akoma një ligj për martesat brenda gjinisë, ndërkohë që ndryshe nga Amerika, nuk e njeh ligjërisht seksin e tretë.

Por ashtu si Trump, Berisha ka sulmuar edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sipas të cilit raportet ia vulos familja e kryeministrit Rama, duke paralajmëruar se do të ankohet tek të huajt.

‘’Ju them unë ju, kam informacione shumë të sakta se asnjë raport nga ky institucion nuk shkon pa u miratuar nga qeveria. Nuk është vetëm një McGonigal. E ka Sergei Esenin: Sa mace ka kjo botë, vargut të tyre fundin nuk ia gjen dot.’’

Por fushata që po përgatit Partia Demokratike, nuk ka imazhin e një fushate të përgatitur për fitore. Berisha premton se Fushata do të karakterizohet nga zemërimi dhe mosbindja civile, për të përballuar sipas tij, krimin shtetëror elektoral të qeverisë aktuale.

“Edi Rama nuk mund të grabisë kurrë këto zgjedhje. Ne jemi të përgatitur për një fushatë elektorale të ndershme, të qetë, të drejtë, të konkurrojmë me alternativë. Por në qoftë se ai shpalos shtetin elektoral, ne do shpalosim zemërimin e qytetarëve kundër shtetit elektoral.’’

Edhe pse vetë akuzohet për korrupsion pasiv nga SPAK, Berisha tha se korrupsionin do e shpallë krim të rëndë e nuk do e amnistojë. Sigurisht kjo, pasi të mbajë premtimin e hershëm, për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!