Berisha i “premton” shqiptarëve protesta për rritjen e çmimeve: Demokratët presin të na shohin në betejë me Ramën

schedule16:31 - 25 Mars, 2022

schedule 16:31 - 25 Mars, 2022

Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi nga selia blu se Partia Demokratike duhet të përfundojë procesin e brendshëm si institucion në mënyrë që t’i dalë për “zot”  zërit opozitar të qytetarëve

Berisha tha se demokratët  duan të shohin PD-në në betejë me Edi Ramën.

Për këtë arsye ai thotë se menjëherë pas përfundimit të procesit të brendshëm, protestat e ardhshme kundër rritjes së çmimeve do të udhëhiqen nga PD-ja.

“PD në këtë formë siç është sot, ka vetëm një institucion, grupin parlamentar dhe komisionin e rithemelimit që është i përkohshëm. PD ka nevojë jetike për institucionet e saj, për të gjithë strukturën që duhet të ketë. Demokratët presin të shohin PD në betejë me Edi Ramën.
A i keni parë ata që veshin lëkurën e qingjit dhe shkojnë në dyqane? Populli pret valën tjetër të protestave dhe do udhëhiqen nga PD-ja. Ju e dini shumë mirë se ç’vjedhjesh janë bërë në energjinë elektrike dhe tallja qesharake e që u bëhet me paketën sociale. PD duhet të përfundojë procesin e brendshëm dhe të dalë në ballë”, tha Berisha.

Zhvillimet më të fundit në kampin demokrat janë  të ndarë në dy pjesë prej 9 shtatorit, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila njohu  sot ndryshimet statutore të Kuvendit të 11 Dhjetorit.

Sipas këtij vendimi Komisioni i Rithemelimit është certifikuar si organ drejtues. Ndërkohë kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj e cilësoi  si vendim skandaloz dhe tha se do të ankimohej. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!