Berisha i njeh një meritë PD në 8 vite opozitë dhe i dërgon Bashës një mesazh të koduar

schedule17:43 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 17:43 - 3 Dhjetor, 2021

Nga Devolli, në Foltoren e tij të radhës, ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi kreun e PD Lulzim Basha se përveç Toyota Yaris dhe dosjes Muzin, do të dalin edhe dosje të tjera që e implikojnë atë. Berisha tha se për sa kohë PD do vazhdojë të jetë partia më e fuqishme politike në vend, projekti i emirateve në Durrës nuk do zhvillohet kurrë duke i dërguar një mesazh Bashës. Ai tha se në 8 vite opozita ka dështuar në çdo nismë që ka ndërmarrë duke përjashtuar këtu vetëm ligjin e dekriminalizimit.

“Roli i opozitës në këto 8 vite ka qenë i mjerueshëm, Opozita dhe PD nga viti 2013 deri më sot kanë dështuar në çdo nismë që kanë ndërmarrë përveç ligjit të dekriminalizimit. Kanë dështuar në çdo gjë. në çdo premtim që kanë bërë dhe kanë dështuar të garantojnë rrotacionin e pushtetit me votë. Sa herë u mashtruat ju se do mbrojmë votën. Nisi çadrën për të mbrojtur votën dhe përfundoi në qeveri. Ndodhën zgjedhje të tjera. Ne sot vijmë kokëulur përpara shqiptareve sepse kemi humbur katër zgjedhje dhe kemi dorëzuar katër zgjedhje. Një njeri i pa përgjegjshëm me zero integritet, nuk kupton se pas katër humbjesh duhet të kishte dhënë katër herë dorëheqjen. Edhe sot nuk jep dorëheqjen.

Lexo edhe: Berisha zbulon skenarin: Lëvizja e parë një ditë pas Kuvendit

Çfarë ndodhi me opozitën? Ndodhi kryetari peng i marrë nga qeveria dhe të tjerë. Në fillim të kësaj lëvizje unë ju deklarova ju dhe e quajta atë peng Basha, peng kryetari. Kurrë nuk e etiketoja pa pasur bindje absolute se ai i tillë ishte. Faktet po dëshmojnë më shumë të njëjtën gjë. Faktet po dëshmojnë vetëm këtë. Në qoftë se në Shqipëri është vendosur narkoshteti për fat të keq kreu i opozitës me dosjet e tij të krimit është aksioneri i këtij shteti. Në foltore të ndryshme i kam kërkuar para jush të japë shpjegime për dosjen Toyota Yaris dhe dosjen Muzin dhe e garantoi se me radhë do dalin dosje të tjera dhe e garantoj që projekti i Emirateve në Durrës nuk do zhvillohet kurrë sa të jetë PD forca më e fuqishme politike e vendit”, tha Berisha.

Ish-kreu i PD shtoi se 11 Dhjetori do të inaugurojë momentin e shndërrimit të Partisë Demokratike në partinë e vlerave dhe traditave më të shkëlqyera shqiptarë dhe partinë e interesit të lirë.

“ ka bashkuar rreth vetes qindra mijëra demokratë dhe më shumë se çdo lëvizje tjetër demokratike në histori. Ajo befasoi shoqërinë shqiptare. U shndërrua në uragan dhe dritë shprese. Shqiptarët shohin te kjo lëvizje shpresën e tyre të vërtetë dhe idealin e tyre, se në këtë vend do zotërojë respekti i të drejtave të njeriut. Foltorja është shndërruar në zhvillimin më pozitiv sipas miqve të huaj të Shqipërisë në 8 vitet e fundit. Ju u ngritët mbi dëshpërimin, pesimizmin dhe presionin e madh të narkoshtetit dhe pengut të narko shtetit. Mbi presione të tjera të pamerituara. Ja ku jemi sot shkojmë të sigurtë drejt 11 Dhjetorit, të firmosim së bashku.

Të inaugurojmë së bashku monumentin  e shndërrimit të kësaj partie në partinë e vlerave dhe traditave më të shkëlqyera shqiptare, në partinë e interesit të lirë. Është koha ajo që ju thirri ju në skenë që ju bashkoi ju në këtë lëvizje të fuqishme sepse vendi pas zgjedhjeve të 25 prillit humbi çdo perspektivë dhe i mbetej asgjë tjetër veç rrokullisjes. Në 8 vite Edi Rama kaloi nga një rekord i zi në një rekord tjetër të zi. Shkatërroi arritje. Ai e bëri Shqipërinë delen e zezë të Ballkanit dhe të Europës dhe vendin ku ligjin e bën krimi dhe droga. Shqipëria është sot vendi me çmimet më të larta në rajon. Ju sot paguani më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e tjerë të Europës. Në Shqipëri paguhet më shtrenjtë se kudo tjetër shërbimi shëndetësor.

Jo rastësisht një pandemi që pllakosi Europën dhe botën mori në Shqipëri më shumë jetë se në çdo vend tjetër të Europës, se në shumicën dërrmuese në mbarë planetit. Sepse vidhet, vidhet dhe vetëm vidhet. I tillë është edhe arsimi sot në Shqipëri. Shqipëria në 8 vite njohu rritje çmimesh. Kafshata e gojës në Shqipëri me mesatararizim kushton 83 herë më shumë se në vendet e BE. Tregu ka humbur logjikën dhe rregullin dhe është dominuar nga kartelet e lidhura me qeverinë”, deklaroi ai. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!