Një ditë pasi u emërua kryeinspektor i përgjithshëm, Sali Berisha e shpalli tradhtar Dashnor Sulën, ish deputetin e Peqinit, i cili ndau përfundimisht rrugët me të duke pranuar postin e propozuar nga kryeministri Edi Rama.
“Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut, quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë, nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Të kapësh flamurin e Edi Ramës, ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë. Ndaj dhe ne, çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjendet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë se ç’mollë e kalbur ka qenë ai”, theksoi Berisha.
Sula ishte i fundit ndër dhjetëra demokratë të zhgënjyer nga Berisha të cilët I janë bashkuar socialistëve apo kanë nisur lëvizjet e tyre. Por jo I vetmi tradhtar. Kryedemokratit nuk i del e keqja me Salianjin, të cilit pak ditë më parë ju bashkuan demokratët e Fierit, aty ku në 11 maj, PD humbi mandat dhe nga lista e mbyllur.
“E thashë edhe para disa ditësh, doktorin 32 vjet mjek, thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krah të Salianjit të krimit, të bandave, dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta, përkundrazi u them ju se ne do ndahemi me këta. Ne nuk duam më kurrë në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha komentoi dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila të premten nuk arriti të marrë një vendim shumice, pasi trupa gjykuese u nda 4 me 4, duke rrëzuar padinë e kryeministrit Rama.
“Me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave. Ajo kishte të bënte me pezullimin e Edi Ramës nga detyra. Dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata”, tha Berisha.


